Kryeministri Hristijan Mickoski, në ngjarjen “Trendet Demografike – Veprim i përbashkët për investim dhe shfrytëzim të kapitalit njerëzor përmes programit pesëvjeçar të Qeverisë dhe Fondit për Popullsinë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA)”, deklaroi se në vitin 2024 janë lindur vetëm rreth 16 mijë foshnje, ndërsa në vitin 1950 në Maqedoni ky numër ka qenë rreth 50 mijë.
– Do të thotë kemi një recesion prej 5.000 foshnjash çdo pesë vjet. Kjo nënkupton se pas pesë vitesh, kur këta fëmijë të shkojnë në klasë të parë, do të kemi 150 klasa bosh, dhe 250 deri në 300 mësues do të mbesin pa punë ose do të duhet t’i paguajmë që të mos punojnë, tha Mickoski.
Qeveria është e vetëdijshme – nevojiten paga më të larta dhe vende të reja pune. Kemi futur tashmë gjashtë procedura falas për fekondim in-vitro, ka libra shkollorë falas për nxënësit, po ndërtohen kopshte dhe po zbatohen masa sociale për nënat dhe familjet, njofton TS.
“Të duash atdheun do të thotë të kesh më shumë fëmijë, të jesh prind dhe të besosh në të ardhmen e vendit. Formimi i familjes është akti më patriotik. Nëse duam një shtet të zhvilluar, familja është përgjigja për këtë sfidë”, tha Mickoski në seancën e Qeverisë.
Ai shtoi se aktualisht ekzistojnë vlerësime se në vend nuk ka më shumë se 1.5 milion banorë të pranishëm.
– Për 20-25 vjet do të jemi një shtet me më pak se një milion banorë dhe çdo i punësuar do të ketë një pensionist, që do të nënkuptojë kolaps të fondit pensional dhe atij shëndetësor, theksoi kryeministri.
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski shtoi se si lehtësim demografik do të stimulohet ndërtimi i shtëpive me kushte më të favorshme dhe se po punohet aktivisht me komunat për uljen e kompensimeve komunale.
Gjithashtu do të stimulohen në mënyrë aktive projektet infrastrukturore lokale në vendbanimet më të vogla, në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë atje dhe të ulet emigrimi drejt vendeve të mëdha urbane për banim./ts