Rezultatet nga rrethi i parë të zgjedhjeve lokale qartë tregojnë se qytetarët e kanë zgjedhur VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin si opsion të vetin, porositi sot kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në komunën e Lozovës në kuadër të fushatës zgjedhore, duke u bërë thirrje qytetarëve për përkrahje në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Mickoski ka shprehur përkrahje për kandidatin dhe kryetarin aktual të komunës së Lozovës, Boshko Cvetkovski, për të cilin tha se është “njeri i ri punëtor, person i shkëlqyeshëm dhe maqedonas i madh”. Ai shtoi se Cvetkovski e ka përkrahjen e tij të madhe, si dhe përkrahjen e Qeverisë, me të cilën, siç tha, do të realizohen projekte në komunë.

“Për këtë shkak, dua qartë të bëjë me dije se e ka përkrahjen time personale, të padyshimtë dhe po ashtu e ka përkrahjen e Qeverisë, me të cilën së bashku me komunën e Lozovës do të bëjmë shumë projekte këtu. Ashtu që, unë jam i bindur se Boshko jo vetëm se është kryetar i mirë dhe i suskesshëm i komunës, por i sigurtë jam se do të jetë i mirë edhe më i suksesshëm në katër vitet e ardhshme”, tha Mickoski.

Sipas tij, partia tanimë ka siguruar fitore në 33 komuna, ndërsa edhe në 26 është në epërsi ose afër fitores.

“Pres që në fund të këtyre zgjedhjeve, VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni të kenë 59 kryetarë komunash”, tha ai, duke shtuar se në 58 komuna koalicioni fitoi edhe në listat e këshillave, duke siguruar shumicën në këshilla.

Mickoski u bëri thirrje qytetarëve të dalin në numër sa më të madh në raundin e dytë, duke theksuar se zgjedhja është e qartë, mbështetje për koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ose, siç tha ai, një kthim në koalicionin që “shtatë vite e grabiti dhe poshtëroi Maqedoninë”.

“Opsioni i dytë është opsioni që është, praktikisht, koalicion që ishte qeveri deri para një vit e gjysmë, e paraprakisht, për shtatë vjet, e grabiti Maqedoninë, e shiti dhe e poshtëroi Maqedoninë dhe i grabiti qytetarët e saj. Dhe ky opsion nuk ka mbështetjen e qeverisë. Le të votojmë për njeri që ka qenë këtu me ju në Lozovë gjatë gjithë kohës”, tha Mickoski.

Si pjesë të aktiviteteve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Mickoski sot do të marrë pjesë në tubime në Rosoman, Demir Kapi dhe Negotinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume