Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, realizoi sot takim dypalësh me kolegun e tij, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, i cili ndodhet për vizitë pune në vend. Qëllimi i takimit, siç njoftojnë nga Kabineti i Minçevit, është forcimi i bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve në fushën e administratës publike.

Minçev dhe Dukaj, thuhet në komunikatë, shkëmbyen vizione dhe ide për avancimin e proceseve të reformave dhe zbatimin e metodologjive moderne që do të kontribuojnë në krijimin e një administrate më efikase, transparente dhe të orientuar drejt qytetarëve.

“Reforma e administratës publike nuk është vetëm një detyrim i brendshëm, por edhe një sinjal i jashtëm se institucionet tona janë të përgatitura për standardet evropiane, për qeverisje moderne dhe partneritete të vërteta në rajon. Ky bashkëpunim është provë për këtë, gjë e cila konfirmon angazhimin tonë për transparencë, efikasitet dhe mbështetje të ndërsjellë në rrugën drejt integrimit evropian”, tha Minçev.

Në qershor të këtij viti është nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi, i cili shërebmn si bazë e fuqishme për komunikim strategjik dhe konkurrues mes dy ministrive, duke mundësuar realizim të përbashkët të projekteve dhe nisma të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian.

“Në përputhje me angazhimin strategjik për të krijuar një administratë publike efikase, moderne dhe të orientuar drejt qytetarëve, ne kemi njohur rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në këtë fushë. Nënshkrimi i Memorandumit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të marrëdhënieve të partneritetit”, tha Dukaj.

Ministria e Administratës Publike, thuhet në komunikatë, mbetet e përkushtuar për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete që kontribuojnë në institucione profesionale dhe më efikase.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com