Siguria dhe stabiliteti janë prioritete kyçe për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Pa këto parakushte nuk është e mundur të flitet për zhvillim në sfera tjera, siç janë ekonomia, porositi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski pas takimit me kolegun e tij nga Bosnja dhe Hercegovina, Zukan Helez, i cili gjendet për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë bisedës me ministrin e Mbrojtjes Helez, ministri Misajllovski ka shprehur bindje se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s e përkrah procesin e integrimit të Bosnjë dhe Hercegovinës në Aleancë dhe se është e gatshme të ndajë përvoja dhe të ndihmojë me qëllim të përforcimit të partneritetit mes dy vendeve.

“Ministrit Helez i kam shprehur bindje se si shtet anëtar i NATO-s, Bosnja dhe Hercegovina ka mbështetjen tonë në përforcimin e marrëdhënieve me Aleancën. Jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona në procesin e integrimit në NATO, gjë që besoj se si vende mike duhet ta bëjmë, të mbështesim dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në arritjen e qëllimeve tona për një të nesërme më të mirë për qytetarët tanë”, theksoi Misajllovski në konferencën e përbashkët për shtyp.

Ministri theksoi se Maqedonia mbetet pa rezerva e përkushtuar ndaj kontributit të saj në misionin paqeruajtës ALTEA të Bashkimit Evropian, i cili synon të ruajë stabilitetin dhe sigurinë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku aktualisht marrin pjesë 33 pjesëtarë nga vendi ynë. Misajllovski po ashtu shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe transparencën, duke theksuar se bashkëpunimi i zgjeruar do të kontribuojë në përforcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Ministri Helez u falënderua për ndihmën në arsimimin e kadetëve të tyre të Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” dhe theksoi se Maqedonia është vendi i dytë pas Turqisë, në të cilin Bosnja dhe Hercegovina dërgon kadetët e saj.

“Krahas temës për kadetë, diskutuam edhe për integrimin euroatlantik. Maqedonia dhe Bosnja kanë një përbërje të ngjashme si shtete multietnike. Aktualisht po kalojmë nëpër fazat që ju keni kaluar për anëtarësim në NATO, po zbatojmë programin e reformave, ndërsa qëllimi ynë i papërfunduar është edhe anëtarësimi në BE, ku kemi të njëjtën rrugë ose të ngjashme drejt atij anëtarësimi”, theksoi Helez.

Ai informoi se kanë biseduar edhe për zhvillimin e bashkëpunimit në industri, ku BeH, sipas tij, ka një nga industritë më të zhvilluara në Ballkanin Perëndimor.

Të dy delegacionet do të marrin pjesë edhe në fillimin e vitit të ri studentor në Akademinë Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski”, ku këtë vit ka më shumë kadetë nga Bosnja dhe Hercegovina, gjë që në mënyrë shtesë e dëshmon qëllimin e sinqertë për të ndërtuar partneritete dhe besim.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com