Ministria e Transformimit Digjital përshëndet vendimin e Komisionit Evropian për miratimin e lirimit të dytë të fondeve për Republikën e Maqedonisë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në një shumë totale prej 16 milionë eurosh, transmeton Portalb.mk.

Si[ thuhet në kumtesë, Komisioni Evropian, në kuadër të vlerësimit të vet teknik, konstatoi se katër reforma janë realizuar me sukses, prej të cilave tri janë në fushën e transformimit digjital, edhe atë:

Miratimi i Ligjit për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, i cili është plotësisht i harmonizuar me direktivën evropiane për sigurinë kibernetike (NIS2);
Miratimi i Ligjit për dokumente elektronike, identifikim elektronik dhe shërbime të besueshme, me të cilin futet modeli evropian i identitetit digjital;
Miratimi i Ligjit për materialet arkivore, me të cilin krijohet kuadri ligjor për arkivimin elektronik në administratën publike.
“Kjo vendimmarrje përbën një konfirmim konkret se institucionet evropiane e njohin dhe e mbështesin punën tonë drejt krijimit të një shteti digjital të sigurt, të ndërlidhur dhe modern. Ligjet e miratuara vendosin themelet për një transformim afatgjatë të administratës publike dhe për krijimin e shërbimeve më të mira, më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët”, deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

Nga shuma totale, 7.4 milionë euro do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa e mbetur e fondeve do të përdoret për projekte infrastrukturore përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume