Sot në Universitetin e Tetovës u promovua libri “Rrëfenjat e mia” nga autori Doc. Mr. Valmir Aziri. Kjo vepër poetike sjell një dimension të thellë të shpirtit njerëzor, një udhëtim të brendshëm që prek kufijtë e ndjenjës, heshtjes dhe reflektimit poetik.
Recensenti dhe njëherazi profesori i Fakultetit të Arteve në Universitetin tonë, Prof. Dr. Metin Izeti theksoi se kjo përmbledhje poetike është një rrëfim i sinqertë dhe i dhimbshëm i një autori, i cili i përshkruan vuajtjet personale, shpresën dhe reflektimin e thellë mbi jetën.
“Libri “Rrëfenjat e mia” është një udhëtim nëpër anatominë e padukshme të shpirtit: kockat e thyera që bëhen male, plagët që shkrihen në lumenj, dhe aparatet e spitalit që këndojnë korale të errëta. Në këtë hapësirë, çdo poemë është një hartë e shkruar në mish. Ermali, heroi ynë hektorian, nuk lufton kundër trojeve të jashtme, por kundër trojeve që mbart brenda tij. Kockat e tij të thyer janë shkëmbinj të shenjtëruar nga vuajtja; gjaku i derdhur është ujëvarë që lind prej tyre. Spitali këtu nuk është ndërtesë, por peizazh metafizik: makinat janë pemët e hekura të një pylli modern, zhurma e tyre është melodia nën të cilën rrahjet e zemrës kërkojnë ritmin e humbur.” – tha mes tjerash, Prof. Dr. Metin Izeti. Vlerësimet e tij për librin i paraqiti edhe profesori Prof. Dr. Vebi Bexheti, i cili elaboroi mbi rëndësinë e kësaj vepre në kontekstin e letërsisë bashkëkohore shqipe, mesazhin modern të poezisë, ndjeshmërinë estetike dhe krijimtarinë e autorit si pjesë e gjeneratës së re të poetëve. “Vargjet poetike të kësaj vepre janë rezultat i potencialit të fuqishëm krijues, që vërehet në çdo këngë të rrëfenjave të autorit. Shpërthimet poetike të vargjeve lirike të përfshira në këtë vepër, reflektojnë edhe në përmasë të përgjithshme, përfshirë historinë tonë të lashtë, ku ndalet te zanat, që vallëzojnë lëndinave, derisa Gjergj Elez Alia dergjet me nëntë plagë në trup, e deri te koha më e re, me theks dashurinë për vendbanimet dhe bukuritë natyrore të shtrirjes gjeografike shqiptare. Këto vargje poetike, me tërë fuqinë artistike, bukurinë estetike, simbolet, figurat dhe metaforat kuptimplota, që reflektojnë shtresime domethëniesh nëntekstuale, vijnë si vlerë e shtuar e poezisë së sotme shqipe”, theksoi, Prof. Dr. Vebi Bexheti.
Ndërsa, poeti Lulzim Haziri ndau përshtypjet e tij për poezinë e autorit dhe mënyrën si komunikon me lexuesin. “Ky libër është një udhëtim i guximshëm poetik për dashurinë prindërore që endet skutave të dhimbjes, udhëve të shpresës. I biri, Mali, përmes frymës rrëqethëse të vargjeve, ngrihet në një metaforë të qëndresës, duke shpërfaqur një peizazh emocional të shpirtit të plagosur. “Rrëfenjat e mia”, përmes gjuhës së fuqishme dhe ndjenjave të pastërta, shpalosin një gamë të gjerë të rrëfimeve intime që sillen mes shpresës, vuajtjes dhe lutjes. Me librin e tij të parë, autori artikulon klithmën njerëzore që lartësohet në majat e dhimbjes dhe dashurisë” u shpreh, Lulzim Haziri.
Profesorit i dizajnit grafik, përkatësisht autori i veprës, Mr. Doc. Valmir Aziri, i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u shpreh se ky libër sa i kushtohet të birit, i kushtohet edhe bashkëshortes e cila është heroina e vërtetë e veprës. “Kjo rrëfenjë i kushtohet djalit, por mbi të gjitha është një homazh për Beharen, nëna dhe heroina e Ermalit. Ajo është Rozafa e kullës sonë, që me mishin dhe shpirtin e saj i ka ngritur themelet e familjes. Sakrifica e saj është ura jonë e mbijetesës, forca që na mban të pathyeshëm përballë çdo sprove. Ajo është pasqyrim i çdo nëne që derdh lotët mbi plagët e fëmijës së vet, që në heshtje lufton beteja të padukshme dhe nga dhimbja gdhend guxim. Nëna, që kurrë nuk e pranon humbjen, por e shndërron dhembjen në jetë, plagën në forcë dhe shpresën në dritë.” – tha autori i veprës, Doc. Mr. Valmir Aziri.
Në kuadër të këtij promovimi, aktorët Ermal Çanga dhe Sheqerije Ilazi recituan poezi, duke sjellë emocione të thella dhe një ndjesi artistike që e pasuruan këtë veprimtari kulturore.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com