Gjatë vizitës së tij në selinë e përbashkët amerikano-izraelite të forcave shumëkombëshe që mbikëqyrin respektimin e armëpushimit në Gaza, në qytetin Kiryat Gat, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se synimi i qeverisë së tij është çarmatimi i Hamasit dhe de-militarizimi i Rripit të Gazës.
Netanyahu tha se ky objektiv, i cili sipas tij u dakordësua edhe me presidentin amerikan Donald Trump dhe me partnerë të tjerë, duhet të arrihet:
“Ne duam të sigurohemi që qëllimi që u pajtuam me presidentin Trump, me konsensusin e të tjerëve, pra çarmatimi i Hamasit dhe de-militarizimi i Gazës, do të realizohet,” u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se procesi po ecën në mënyrë graduale si pjesë e një plani të gjerë të zbatuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë.
“Sot ka një përpjekje të vërtetë të përbashkët, me të cilën sigurojmë që siguria jonë të mbetet në duart tona, në mënyrë që të arrijmë rezultate që ndoshta asnjë nuk i besonte se mund t’i arrinim, por ne jemi të vendosur të përpiqemi,” tha Netanyahu.
Duke iu referuar fjalëve të presidentit Trump, Netanyahu citoi mesazhin e thjeshtë të amerikanit: “Presidenti Trump e tha qartë: do t’ia dalim, ose në mënyrën e lehtë, siç shpresojmë, ose në mënyrën e vështirë. Por do arrijmë atë që jemi të vendosur të arrijmë.