“Një hap drejt pajtimit historik”/ Mbreti Charles vizitë në Vatikan, pritet takimi historik me Papa Leonin

Mbreti Çarls III dhe Mbretëresha Kamila kanë mbërritur në Vatikan për një takim historik me Papa Leonin, në vizitën e parë të këtij lloji nga një monark britanik që prej Reformimit në shekullin e 16-të.
Sipas Pallatit të Buckinghamit, vizita do të shërbejë si një simbol pajtimi dhe bashkimi ndërfetar midis Kishës Katolike dhe Kishës së Anglisë, marrëdhëniet e të cilave janë historikisht të ndara që nga sundimi i Henri VIII.
Kulmi i vizitës do të jetë një shërbesë e përbashkët lutjeje në Kapelën Sistine, ku klerikë dhe kore nga të dyja kishat do të marrin pjesë.
Mbreti, si guvernator suprem i Kishës së Anglisë, do të lutet së bashku me Papën, një gjest me domethënie të thellë historike dhe shpirtërore.
Korrespondenti mbretëror i BBC-së, Sean Coughlan, raportoi nga Vatikani se kjo ceremoni “shënon një moment të paprecedent bashkimi dhe respekti të ndërsjellë midis dy besimeve më të mëdha të krishtera në botë”.
Në një deklaratë nga zëdhënësi i Mbretit, u tha se marrëdhënia e forcuar mes Kishës Katolike dhe asaj Anglikane është “një mbrojtje kundër atyre që nxisin konfliktin, përçarjen dhe tiraninë”.
Burime nga Pallati i Buckinghamit thanë se Mbreti Çarls dëshiron të theksojë rolin e besimit si urë bashkimi në një botë të ndarë nga tensionet dhe ekstremizmi.
Kjo është hera e parë që një monark britanik lutet me një Papë që nga ndarja e kishës në vitet 1530.
Ekspertët fetarë e kanë cilësuar vizitën si “një hap drejt pajtimit historik”, duke theksuar se ajo ndodh në një kohë kur dialogu ndërfetar është më i nevojshëm se kurrë.