Kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përfundoi një telefonatë me Presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar, ai ishte aq i sigurt në progres saqë njoftoi një udhëtim në Budapest së shpejti për një samit ballë për ballë. Vetëm pesë ditë më vonë, ai samit u anulua dhe u zëvendësua me sanksione të reja ndaj Moskës – të parat e administratës së dytë të Trump, raporton CNN.

Kthesa erdhi ndërsa zyrtarët amerikanë, përfshirë vetë presidentin, e kuptuan gradualisht se qëndrimi i Putinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk kishte ndryshuar ndjeshëm që nga takimi i tyre i fundit. Sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve, kërkesat maksimaliste ndaj Kievit dhe refuzimi për të rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm ishin sinjale të qarta për Trumpin se asgjë nuk kishte lëvizur përtej ngërçit.

“Thjesht nuk më dukej e drejtë”, tha Trump të mërkurën. “Nuk më dukej sikur do të arrinim aty ku duhej. Kështu që e anulova.”

Ky veprim u mirëprit nga aleatët evropianë të Trump dhe shumë mbështetës, ndërsa Putin e denoncoi atë si të padobishëm. Pas muajsh paralajmërismesh që nuk u realizuan kurrë, Trump tani ka ndërmarrë hapin më konkret deri më tani në ndëshkimin e Rusisë për luftën në Ukrainë. “Thjesht ndjeva se kishte ardhur koha”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë menjëherë pas njoftimit të sanksioneve. “Kemi pritur shumë kohë.”

Biseda telefonike që ndryshoi gjithçka

Është një çështje e hapur nëse qëndrimi i ri dhe më i ashpër i Trump është i përhershëm apo thjesht i përkohshëm. Që kur u rikthye në detyrë, ai e ka ndryshuar vazhdimisht qasjen e tij ndaj Putinit, shpesh i ndikuar nga telefonatat e tyre. Vendosmëria e tij mund të vihet në provë edhe nga presioni i ri mbi çmimet globale të naftës.

Sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, nuk pati asnjë moment të vetëm vendimtar që ndryshoi mendjen e presidentit. Në vend të kësaj, qëndrimi i tij evoluoi përmes zhgënjimeve të përsëritura, ndërsa Putini dukej se nuk po i afrohej më shumë përfundimit të luftës.

“Sa herë që flas me Vladimirin, zhvillojmë biseda të mira, dhe pastaj ata nuk çojnë askund,” u ankua Trump të mërkurën. “Ata thjesht nuk çojnë askund.”

Një ditë pas bisedimeve të tij me Putinin, Trump u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Takimi ishte i tensionuar dhe, megjithëse Trump i bëri presion Zelensky-t për lëshime territoriale, ai në fund doli me një plan që do të kërkonte një armëpushim në vijat aktuale të betejës – shumë larg asaj që kishte kërkuar Putini.

Pas një telefonate midis Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov të hënën, u bë e qartë se qëndrimi i Moskës nuk kishte ndryshuar. Trump arriti në përfundimin se samiti i Budapestit do të ishte një “humbje kohe” dhe planifikimi u ndërpre.

Surprizë në Shtëpinë e Bardhë

Gjatë një takimi me Sekretarin e Thesarit Scott Bessent, i cili ka kërkuar sanksione për muaj të tërë, Trump i habiti edhe disa nga ndihmësit e tij më të ngushtë duke rënë dakord të vendosë masa kundër kompanive më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil. Bessent u kthye menjëherë në zyrën e tij për të përgatitur njoftimin zyrtar.

Trump më pas e informoi Rubion dhe pak më vonë, Bessent u la të kuptohej gazetarëve se çfarë do të ndodhte. “Ne do të njoftojmë një rritje të ndjeshme të sanksioneve ndaj Rusisë”, tha ai, duke shkaktuar konfuzion në mesin e mediave.

Në atë kohë, Trump po takohej në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili kishte mbërritur nga Brukseli me shpresën për ta bindur Trumpin të qëndronte i vendosur me Ukrainën. Rutte mori më shumë sesa priste.

“Këto janë [sanksione] shumë të mëdha, ato janë kundër dy kompanive të tyre të mëdha të naftës dhe shpresojmë se nuk do të zgjasin shumë. Shpresojmë që lufta të zgjidhet”, i tha Trump Rutte-s.

Shumë njerëz në Shtëpinë e Bardhë u habitën nga shpejtësia me të cilën u mor vendimi. Presidenti kishte thënë për muaj të tërë se do të vepronte kur t’ia thoshin “instinktet”. Një zyrtar i lartë shpjegoi se vendimi ishte “kulminacioni i bisedave të mira [me Putinin] dhe më pas leximit të gazetave dhe të parës se Rusia ende po bombardonte gjerësisht Ukrainën”. Vetëm disa orë para njoftimit, Rusia kishte goditur një çerdhe në Kharkiv.

Trump thuhet se gjeti motivim shtesë në armëpushimin e arritur në Gaza, duke besuar se ai erdhi vetëm pasi ai mori një qëndrim më të ashpër ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. “Ashpërsosmëria e tij çoi në veprime”, tha zyrtari.

Pavarësisht kërcënimeve me sanksione për muaj të tërë, Trump ka hezituar, i shqetësuar se një qasje e ashpër mund ta largojë Putinin nga negociatat. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar një takim të ardhshëm me presidentin rus kur të vijë koha.

“Mendoj se presidenti dhe e gjithë administrata shpresojnë se një ditë kjo mund të ndodhë përsëri”, tha të enjten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Leavitt. “Por ne duam të sigurohemi që nga ai takim të ketë një rezultat të prekshëm dhe pozitiv”, shtoi ajo. /Reporteri.net/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com