Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është në duar të partive politike formimi i qeverisë së ardhshme të Kosovës, teksa ka rikujtuar se afatet po rrjedhin.

Osmani tha se negociatat për koalicione bëhen vetëm ndërmjet partive apo në këtë rast edhe me deputetë dhe se ajo s’i presidente nuk përfshihet, e rrjedhimisht s’mund ta di deri kur kanë arritur negociatat, shkruan Reporteri.net.

Albin Kurti është mandatuar për kryeministër nga Osmani të hënën, e për zgjedhjen afati është 15 ditë nga dita e mandatimit.

“…afatet rrjedhin po negociatat për koalicione bëhen vetëm ndërmjet partive apo në rastin konkret mund të bëhen edhe me deputetë. Por, janë diskutime mes partive në të cilat unë si presidente nuk do të duhet të ndërhyrja. Rrjedhimisht unë nuk mund ta di se deri kur kanë arritur ato negociata potencialisht, por janë çështje besoj të cilat më shumë informata mund t’u japin partitë politike në involvuara”, ka deklaruar Osmani.

E para e vendit tha se shpreson shumë që partitë të gjejnë një gjuhë të përbashkët e të formohet qeveria sa më parë.

“Shpresoj shumë që do të kemi sa më parë qeveri me mandat të plotë kushtetues. Sa më parë të kemi qeveri me mandat të plotë kushtetues, mund të shtyhet përpara reforma, kemi një buxhet gjithpërfshirës dhe vendime tjera që shtyhen përpara nga qeveria. Kur do të ndodhë kjo, është në duar të partive politike që shpresoj shumë të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, ka thënë Osmani para gazetarëve.

Ndryshe, nga VV kanë paralajmëruar se nëse nuk do të mund të bëhet qeveria nga ta, vendi do të shkojë në zgjedhje.

Zgjedhje ka kërkuar edhe PDK’ja, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit./Reporteri.net

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com