Osmani: Mexhiti i ka njoftuar mediat se nuk do të marrë pjesë në asnjë debat – ka frikë nga përballja

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të një pyetjeje gazetareske, ka reaguar sërish ndaj refuzimit të kundërkandidatit të tij, Izet Mexhiti, për të marrë pjesë në debatet televizive.
“Unë e kam kursyer Mexhitin tashmë disa javë, sepse ai i ka refuzuar të gjitha ftesat e mëparshme për debate. E ka refuzuar ftesën e ‘Telma’, të ‘TV24’, si dhe të mediumi kosovar të Jeta Xharës”, deklaroi Osmani.
Ai theksoi se Mexhiti madje ka dërguar një njoftim deri te të gjitha mediat në gjuhën shqipe se nuk do të marrë pjesë në debate – gjë që, sipas Osmanit, është dëshmi se ai ka frikë nga përballja e drejtpërdrejtë dhe nga përgjegjësia për politikat e tij.
“Ka dërguar një mesazh te të gjitha mediat në gjuhën shqipe se nuk do të marrë pjesë në debat. Por unë nuk e kam ngritur këtë si çështje, sepse e shihni fushatën time – kam aq shumë projekte sa nuk kam kohë të merrem me frikën e kundërshtarit”, tha Osmani.
Ai shtoi se kishte pritur që Mexhiti të paraqitej të paktën në debatin në Televizionin e Maqedonisë (RTVM), “ku në një farë mënyre është në terrenin e vet”, por që edhe aty ai e kishte shmangur mundësinë për t’u përballur.
“Por, kur nuk u paraqit as aty, atëherë duhej t’u thosha qytetarëve se kjo është gjendja – dikush fshihet, dikush fsheh diçka, dhe prandaj nuk del të përballet me qytetarët dhe me kundërkandidatët. A është ky shkupjani që nuk ka frikë?”, përfundoi Osmani.