Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në tubimin e sontëm në Çair zbuloi se ka marrë një mesazh të drejtpërdrejtë nga një përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, me të cilin konfirmohet mbështetja e Brukselit për rrugën evropiane të shtetit dhe pritshmëria që Qeveria e re t’i realizojë menjëherë pas zgjedhjeve të tetorit ndryshimet kushtetuese.

“Sot në vendin tonë qëndron presidentja e Komisionit Evropian, e cila doli me një mesazh shumë të qartë për shtetin tonë. Një mik i rëndësishëm nga Brukseli më njoftoi sot – dhe me përgjegjësi po e them këtë para jush – më tha: pyete Ali Ahmetin dhe liderët e Aleancës Kombëtare për Integrim nëse mund të angazhohen para Brukselit që menjëherë pas tetorit, kur të formohet qeveria e re, të kushtëzohen ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Osmani.

Ai shtoi se tashmë e ka marrë përsipër këtë obligim para Brukselit, pasi siç theksoi, Ali Ahmeti dhe Aleanca Kombëtare për Integrim gjithmonë kanë qenë motor i proceseve evropiane në shtet.

“Bota e kuptoi se kjo situatë është e paqëndrueshme, dhe vetëm me një dalje masive në votime më 19 tetor do të arrijmë shumë fitore: do ta çlirojmë Çairin nga kthetrat e korrupsionit, do ta fitojmë qytetin e Shkupit, do ta rrëzojmë qeverinë më anti-evropiane dhe më anti-shqiptare që ka pasur ky shtet, por edhe do ta rrëzojmë idenë mickoviste që synon të rikthejë dominimin monoetnik këtu”, theksoi Osmani.

Ai bëri thirrje që qytetarët të dalin masivisht në zgjedhjet e 19 tetorit, duke vlerësuar se çdo votë do të jetë votë për një shtet evropian, të drejtë dhe modern.

“Çdo votë e juaja është një gur në themelin e Çairit të ri, një gur në themelin e Maqedonisë së re, ku shqiptarët dhe komunitetet e tjera janë të barabarta”, tha Osmani./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com