185.500 denarë arrijnë shpenzimet totale për trajtimin gjashtëmujor të një pacienti 56-vjeçar në spitalin e Bardovcës, i cili megjithëse është i lindur në Maqedoni, nuk ka shtetësi maqedonase dhe për këtë arsye nuk ka as sigurim shëndetësor, tregojnë të dhënat që spitali ia ka dërguar Televizionit 24.

Nga spitali sqarojnë se në këtë shumë përfshihen shpenzimet për akomodim, ushqim, terapi dhe analiza në institucione të tjera shëndetësore, ku pacienti i është nënshtruar ekzaminimeve të detajuara. Ata theksojnë se një punonjës social ka filluar procedurën për rregullimin e dokumenteve personale që në mars të këtij viti, me qëllim sigurimin e mbulimit shëndetësor.

Spitali Psikiatrik i Bardovcës

– Sa i përket ushqimit dhe kujdesit, në spital pacientit i ofrohet maksimumi i mundshëm brenda kapaciteteve. Në kurriz të spitalit ai dërgohet shpesh për ekzaminime diagnostike në spitale të tjera, pasi familja e tij refuzon ta marrë në shtëpi.

Në raportin informativ të ndërhyrjeve sociale të ndërmarra nga spitali janë detajuar të gjitha hapat e ndërmarrë, si në komunikimin me familjen e tij, ashtu edhe me institucionet përkatëse.

Nga spitali shtojnë se në momentin e pranimit, pacienti kishte pamje të neglizhuar, higjienë personale të dobët, ishte i dezorientuar, i shqetësuar dhe nuk përgjigjej në pyetje, duke e bërë të pamundur vendosjen e kontaktit verbal.

Ata sqarojnë se megjithëse indikacionet për trajtim psikiatrik kishin pushuar, pacienti është mbajtur në spital vetëm për arsye sociale.

Spitali Psikiatrik i Bardovcës

– Para pranimit në spital, pacienti kishte jetuar si i pastrehë për 20 vjet. Sipas dëshmisë së tij, flinte në ndërtesa të papërfunduara dhe jetonte nga mëshira e njerëzve, pa adresë banimi dhe pa dokumente personale. Herë pas here vizitonte vajzën dhe djalin e tij, ndërsa konsumonte alkool në sasi të tepruara. Për shkak të mënyrës së parregullt të jetesës, në moshën aktuale prej 56 vjetësh, ai tashmë vuan nga probleme serioze shëndetësore që kërkojnë trajtim nga specialitete të tjera mjekësore.

Më herët, nga Ministria e Punëve të Brendshme për Televizionin 24 informuan se më 6 gusht të këtij viti pacientit 56-vjeçar i është miratuar qëndrim i përkohshëm njëvjeçar në Maqedoni dhe se po punohet për përgatitjen e kartës së identitetit për të huaj. Për fitimin e shtetësisë, nga MPB thonë se familja duhet ta nisë procedurën nga fillimi, me dorëzimin e dokumentacionit të plotë.

Vajza e tij, e cila është prind i vetëm, për Televizionin 24 ka rrëfyer përpjekjet e babait të saj me institucionet dhe betejën që po zhvillon për të siguruar një banesë sociale.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com