Zyrtarët pakistanezë do të zhvillojnë bisedime në Katar më 18 tetor me homologët afganë, një ditë pasi Islamabadi kreu sulme ajrore në shtetin fqinj që vranë të paktën dhjetë persona dhe shkeli armëpushimin që solli qetësi për dy ditë në kufi.

“Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, dhe shefi i inteligjencës gjenerali, Asim Malik, do të nisen për në Doha sot për bisedime me talibanët afganë”, raportoi televizioni shtetëror në Pakistan.

Një zyrtar i qeverisë talibane po ashtu konfirmoi se do të mbahen bisedimet.

“Një delegacion i nivelit të lartë nga Emirati Islamik, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Mohammed Yaqub, është nisur për në Doha”, shkroi në X zëdhënësi i qeverisë talibane, Zabihullah Mujahid.

Një armëpushim 48-orësh ndaloi gati një javë përplasje të përgjakshme në kufi, që shkaktuan vdekjen e dhjetëra ushtarëve dhe civilëve nga të dyja palët.

Por, të premten në mbrëmje, Afganistani akuzoi Pakistanin për shkelje të armëpushimit.

“Pakistani e ka shkelur armëpushimin dhe ka bombarduar tri lokacione në provincën Paktika. Afganistani do të kundërpërgjigjet”, tha për AFP-në një zyrtar taliban.

Dhjetë civilë u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën nga sulmet, thanë zyrtarët shëndetësorë për AFP-në që folën në kushte anonimiteti, duke shtuar se dy fëmijë ishin në mesin e të vrarëve.

Ndërkaq, një zyrtar pakistanez tha se forcat kishin kryer “sulme precize ajrore” në zonat përgjatë kufirit afgan, duke shënjestruar grupin Hafiz Gul Bahadur, një fraksion lokal i lidhur me Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP) – talibanët pakistanezë.

Islamabadi thotë se ky grup është përfshirë në bombardimet vdekjeprurëse dhe sulmet me armë zjarri në një kamp ushtarak në Vaziristanin Verior, që gjendet në kufi me Afganistanin, duke vrarë shtatë trupa paramilitare pakistaneze.

Çështjet e sigurisë qëndrojnë në epiqendrën e tensioneve, me Pakistanin që akuzon Afganistanin për strehimin e grupeve militantë të udhëhequra nga TTP-ja, në tokën e tij, një pretendim që Kabuli e mohon.

Dhuna ndërkufitare u rrit në mënyrë dramatike që nga e shtuna, disa ditë pas shpërthimeve që tronditën kryeqytetin afgan Kabul, pikërisht ndërsa ministri i Jashtëm i talibanëve nisi një vizitë të paprecedentë në Indi, rivalin e kamotshëm të Pakistanit.

Talibanët më pas nisën një ofensivë përgjatë pjesëve të kufirit të tyre jugor me Pakistanin, duke shtyrë Islamabadin që të zotohet për kundërpërgjigje.

Kur nisi armëpushimi të mërkurën, Islamabadi tha se do të zgjaste 48 orë, por Kabuli tha se armëpushimi do të mbetet në fuqi derisa Pakistani ta shkelë atë.

Zëdhënësi i qeverisë talibane tha se forcat afgane janë urdhëruar që të mos sulmojnë, përveç se nëse forcat pakistaneze sulmojnë të parat. Nëse Pakistani sulmon, Afganistani tha se ka të drejtë që ta mbrojë veten. / REL

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com