Policia spanjolle tha të dielën se kishte sekuestruar 6.5 ton kokainë dhe kishte arrestuar nëntë persona pasi një informacion nga Shtetet e Bashkuara i shtyu ata të bastisnin një anije pranë Ishujve Kanarie disa ditë më parë.

Në deklaratë thuhej se droga ishte fshehur në një varkë që mbante flamurin e Tanzanisë dhe që po udhëtonte nga Panamaja drejt portit spanjoll të Vigos, në veriperëndim të vendit.

Administrata Amerikane e Zbatimit të Ligjit për Drogën (DEA) siguroi “informacion” kyç që mundësoi kryerjen me sukses të operacionit, thuhet në deklaratën e policisë.

Spanja është një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Evropë, për shkak të lidhjeve të ngushta me Amerikën Latine, ku prodhohet droga, si dhe vendndodhjes së saj gjeografike në jugperëndim të kontinentit.

Policia spanjolle bëri sekuestrimin më të madh të kokainës ndonjëherë tetorin e kaluar, kur zbuloi rreth 13 ton të fshehur në një ngarkesë me banane në portin jugor të Algeciras.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com