Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim postar pullën e re kushtuar arkitektit të shquar Bashkim Fehmiu (1930–2008).
Në historinë e Prishtinës moderne, emri i Bashkim Fehmiut mbetet si një gur themeli jo vetëm në arkitekturë, por në vetë frymën e qytetit. Ai nuk ishte thjesht një arkitekt që vizatonte objekte e lagje – ai ishte një vizionar që shihte përtej betonit, duke krijuar hapësira ku njerëzit do të jetonin, mësonin dhe ëndërronin. Pas vetes la gjurmë të pashlyeshme si në lagjet e mëdha të banimit, ashtu edhe tek kampusi i Universitetit të Prishtinës, e deri te ndërtimet si hoteli “Grand”. Me projektet e tij, kryeqyteti kosovar nisi të merrte formën urbane që e dallon sot.
“Fehmiu themeloi Entin e Urbanizmit të Prishtinës, duke udhëhequr zhvillime urbane dhe arkitekturë të rëndësishme në kryeqytet. Ka udhëhequr Katedrën për Urbanizim dhe Planifikim Hapësinor deri në pensionim në vitin 1991″.
“Ai ishte pionieri që e solli arkitekturën e re në Kosovë, duke e bërë pjesë të jetës së përditshme dhe duke u kujdesur që çdo ndërtim të bartte jo vetëm funksion, por edhe shpirt. Punën e tij e karakterizon harmonia mes modernitetit dhe nevojave të njeriut, duke e kthyer arkitekturën në një gjuhë të përbashkët të qytetarëve të Prishtinës”, njofton Posta e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Librat dhe punimet e Bashkim Fehmiut i janë dhuruar Fakultetit të Arkitekturës, ku është hapur edhe biblioteka dhe ekspozita që mban emrin e tij.
Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të vendit në botë, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë që nderon figurën e arkitektit Bashkim Fehmiu.