Projekti më i madh urban në Tetovë: Parku i Qytetit dhe Qendra e Re Administrative, vizioni i Bajram Rexhepit për një qytet modern dhe të gjelbër

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka prezantuar një nga projektet më ambicioze për transformimin e qytetit — shndërrimin e kazermës së vjetër në Parkun e Qytetit dhe Qendrën e Re Administrative të Tetovës informon Tetovasot.
Sipas planit, në një hapësirë prej 150.000 m² do të ndërtohet parku më i madh qytetar, me gjelbërim, shëtitore, zona për rekreacion, aktivitete sportive dhe kulturore. Përkrah tij, në një sipërfaqe prej 45.000 m², do të ngrihet Qendra e Re Administrative, ku do të vendosen institucionet kryesore publike si Komuna, Gjykata, Prokuroria, Policia, Kadastra dhe Librat Amë.
Bajram Rexhepi theksoi se ky projekt është themelor për transformimin e Tetovës në një qytet modern, funksional dhe të jetueshëm.
“Tetova ka nevojë për frymëmarrje, për gjelbërim dhe rregull urban. Me këtë projekt, qyteti fiton një park të madh, fundin e kaosit në qendër dhe një qendër të re administrative ku çdo qytetar do ta ketë më lehtë qasjen në institucionet publike,” u shpreh Rexhepi.
Projektet pritet të sjellin:
✅ Parkun e parë të madh publik në qytet.
✅ Rend urban dhe fund kaosit të komunikacionit.
✅ Shërbime administrative të bashkuara në një vend.
✅ Rreth 1000 vende të reja parkimi.
✅ Më shumë hapësirë të gjelbër dhe rekreative për qytetarët.
Sipas Rexhepit, ky është fillimi i transformimit të madh të Tetovës, që do ta kthejë qytetin në një qendër të zhvillimit, gjelbërimit dhe planifikimit të qëndrueshëm urban.TS