Shkruan: Merxhan Jakupi
Luftërat në Lindjen e Mesme, veçanërisht mes Iranit dhe Izraelit, si dhe lufta afër dyvjeçare mes forcave ushtarake izraelite në Gaza, kanë shkaktuar kontradikta edhe tek një pjesë e opinionit shqiptar në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Te kjo pjesë e opinionit, e individëve eurocentrikë, pro-perëndimorë, ka munguar empatia, solidariteti dhe humanizmi ndaj gjenocidit dhe vrasjes së mijëra fëmijëve, grave dhe pleqve nga forcat ushtarake izraelite.
Indiferenca, paisiviteti dhe qëndrimet dehumanizuese të këtyre individëve reflektojnë një narrativë sipas së cilës shqiptarët nuk kanë arsye të protestojnë apo të mbështesin qeverinë dhe popullin palestinez, sepse qeveria palestineze së bashku me popullin, nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërsa qeveria palestineze gjatë Luftës së Kosovës, ka mbështetur Sllobodan Millosheviqin.
Shqiptarët, si shumica e popujve në botë, kanë treguar empati, indinjatë dhe solidaritet ndaj gjenocidit në Gaza. Shumë organizata humanitare kanë dërguar ndihma, po ashtu nuk kanë munguar ndihmat nga qeveritë e dy shteteve shqiptare. Tek shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ky lloj protestash masive nuk ka ndodhur. Mungesa e protestave, si ato që shihen në sheshet e metropoleve botërore, lidhet me faktin se shoqëria shqiptare është e ndarë dhe e përçarë.
Po të mbaheshin protesta masive në kryeqytetet shqiptare dhe në qytete të tjera anembanë trojeve shqiptare, pseudo-eurocentristët, pro-perëndimorët, sekularistët dhe modernistët, si dhe narcisistët dhe ata me Islamofobi, do t’i akuzonin dhe etiketonin këto protesta si të organizuara nga “Erdoganistët” ose nga rrymat radikale islamiste. Sipas paradigmeve, konotacioneve dhe narrativave të tyre, këto protesta do të dëshmonin, sipas tyre, dëmtimin e reputacionit dhe kredibilitetit të aleatëve tanë perëndimorë.
Lufta e fundit, afërsisht dy vite në Gaza nga forcat ushtarake të Tel-Avivit dhe nga tirani e despoti Benjamin Netanyahu, ka shkaktuar vrasjen e fëmijëve dhe civilëve, masakra dhe një katastrofë humanitare ndaj popullit palestinez, të cilën OKB-ja e ka shpallur si gjenocid. Në shumë sheshe dhe mega-metropole botërore, miliona protestues kanë dalë në përkrahje të popullit palestinez. Po ashtu, edhe në shtetet perëndimore, aleatë tradicionalë të Izraelit, muajt e fundit miliona protestues në Paris, Londër, Berlin dhe në shumë shtete të tjera kanë protestuar kundër gjenocidit në Gaza.
Politizimi, polarizimi dhe instrumentalizimi i një shoqërie, të jesh “pro” dhe “kundër” gjenocidit, kataklizmës, apokalipsit apo sfarosjes së një populli, është një nga shkeljet më të thella anticivilizuese dhe antihumane dhe një shkelje e vlerave morale dhe universale.