Rënia e natalitetit në Maqedoni po shndërrohet në një nga çështjet më të mprehta shoqërore. Gjatë dekadës së fundit, është shënuar një ulje e vazhdueshme e numrit të lindjeve në vend, ndërkohë që paralelisht po rritet numri i fëmijëve të lindur jashtë shtetit.
Sipas demografit Apostol Simovski, emigrimi është vetëm një pjesë e mozaikut kompleks të faktorëve që ndikojnë mbi trendet demografike. Ai thekson se gjendja e paqëndrueshme ekonomike dhe ndryshimet në vlerat familjare kanë ndikim të madh në vendimin e të rinjve për të krijuar familje.
Simovski shton se emigrimi nuk ka vetëm shkaqe ekonomike, por lidhet edhe me kushte më të gjera shoqërore dhe institucionale. Derisa zgjidhjet për uljen e emigrimit dhe mbështetjen e familjeve mbeten vetëm në letër, paralajmërimet për një kolaps demografik serioz bëhen gjithnjë e më reale.
Koordinatori Kombëtar për Demografinë dhe Rininë, Vlatko Gjorgjiev, kujton se emigrim në Maqedoni ka pasur gjithmonë, por në të kaluarën familjet me shumë fëmijë e mbanin ekuilibrin dhe e ruanin natalitetin në nivele më të larta. Sot, këto struktura familjare janë gjithnjë e më të rralla, gjë që e përkeqëson edhe më shumë bilancin demografik.
Ai thekson se ky problem nuk është specifik vetëm për vendet në zhvillim. Edhe shtetet më të zhvilluara përballen me sfida të ngjashme – norma të ulëta të lindjeve, plakje të popullsisë dhe nevojë për reforma në sistemet sociale.
Çështja ka marrë edhe peshë politike. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se nëse trendet vazhdojnë me të njëjtin ritëm, Maqedonia pas njëzet vitesh mund të përballet me një rënie të popullsisë nën një milion banorë.
Një skenar i tillë do të sillte rreziqe serioze për qëndrueshmërinë e sistemit pensional dhe atij shëndetësor, të cilët varen drejtpërdrejt nga numri i popullsisë aktive.
Kriza demografike në Maqedoni është rezultat i faktorëve të shumtë – nga paqëndrueshmëria ekonomike dhe emigrimi, deri te ndryshimi i vlerave familjare dhe mungesa e zgjidhjeve sistemike. Nëse institucionet nuk marrin masa efektive, parashikimet për një rënie dramatike të popullsisë rrezikojnë të bëhen realitet, duke lënë pasoja të thella mbi zhvillimin e ardhshëm të vendit.