“Jepu njerëzve maskë dhe do të shohësh fytyrën e tyre të vërtetë!” – me këtë mesazh të fortë, mbështetësit e kandidatit Bajram Rexhepi kanë dhënë një deklaratë të qartë politike, ata janë të bindur në kauzën dhe vizionin që përfaqëson ai.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me energji rinore, rinia e Malësisë kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të qëndruar të palëkundur përballë çdo përpjekjeje për t’i përçarë apo joshur me mjete të ulëta politike.
“Epo ja ku jemi: të pamaskuar, të drejtëpërdrejtë, të bindur në ideologjinë e Bajram Rexhepit,” – thuhet në deklaratën publike të mbështetësve.
Sipas tyre, pas vitit 2001, Sellca është duke u bashkuar rreth një parimi të qartë: kundër servilizmit modern, duke zgjedhur të mbështesë vlera të tilla si drejtësia, dinjiteti dhe qëndrueshmëria morale, njofton TS.
“Këtë herë jemi të patundshëm kundrejt çdo fortune që sillet rreth këmbëve tona, që dëshiron të josh e përçajë me një grusht parash,” – vijon deklarata.
Rinia e Malësisë është vënë në lëvizje, jo nga interesat personale apo premtime boshe, por nga ajo që e cilësojnë si një ndjenjë detyrimi moral për të përkrahur një bashkëvendës që përfaqëson dinjitetin dhe të ardhmen e komunitetit të tyre.
“Pa imponim, pa detyrim, pa rryshfete e pazarllëqe për përfitime vetjake,” – theksojnë mbështetësit.
Ata e mbyllin mesazhin me një qëndrim të qartë dhe të prerë:
“Jemi krenarë që jemi në kahun e duhur të historisë. Jemi krenarë që jemi bashkë, që ndajmë të njëjtën ide. Jemi krenarë që radhitemi pas Bajram Rexhepit.”/TS