Rusia ka lëshuar gjatë natës një breshëri dronësh dhe raketash ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar kufizime të furnizimit me energji në mbarë vendin dhe duke lënë tre persona të vdekur, përfshirë një vajzë shtatëvjeçare, njoftuan zyrtarët ukrainas të enjten.
Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, akuzoi Moskën për synimin e goditjes së popullsisë civile dhe sistemit energjetik në prag të dimrit të ftohtë.
“Qëllimi i tyre është të zhysin Ukrainën në errësirë. I yni është të ruajmë dritën,” shkroi ajo në platformën Telegram. “Për ta ndalur këtë terror, na nevojiten më shumë sisteme mbrojtjeje ajrore, sanksione më të ashpra dhe presion maksimal ndaj agresorit.”
Autoritetet lokale raportuan se dy burra humbën jetën në qytetin industrial të Zaporizhias në juglindje, ndërsa vajza shtatëvjeçare nga rajoni qendror i Vinnitsias vdiq në spital si pasojë e plagëve të marra nga sulmet.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kishin goditur “objekte të kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës” gjatë natës, duke mohuar se synon civilët. Moska ka deklaruar më parë se sulmet e saj janë përgjigje ndaj goditjeve ukrainase mbi infrastrukturën ruse.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, njësitë e mbrojtjes ajrore rrëzuan 592 dronë dhe 31 raketa gjatë sulmit. Megjithatë, disa objekte energjetike në rajonet qendrore, perëndimore dhe juglindore u dëmtuan rëndë.
Qeveria ukrainase shpalli kufizime kombëtare të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët dhe industrinë, ndërsa në disa rajone u ndërprenë edhe furnizimi me ujë dhe ngrohje.
Dy objekte energjetike në rajonin perëndimor të Lvivit janë dëmtuar, sipas autoriteteve lokale. Kompania më e madhe private e energjisë, DTEK, raportoi se termocentralet e saj në disa rajone ishin nën sulm.
“Ky është një goditje e rëndë për përpjekjet tona për të mbajtur furnizimin me energji gjatë këtij dimri,” deklaroi drejtori ekzekutiv i DTEK, Maksym Timchenko. “Bazuar në intensitetin e sulmeve të dy muajve të fundit, është e qartë se Rusia synon shkatërrimin e plotë të sistemit energjetik të Ukrainës.”