Blerim Sejdiu do të vazhdojë të udhëheqë Komunën e Zhelinës edhe për katër vitet e ardhshme, pasi zyrtarisht ka marrë certifikatën e mandatit të tretë nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Zhelinë. Gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave, Sejdiu u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve për besimin e dhënë dhe premtoi vazhdim të projekteve të nisura, por edhe realizimin e iniciativave të reja zhvillimore për komunën.
“I urova këshilltarët që të kemi një mandat të suksesshëm. Do të vazhdojmë projektet që kanë mbetur përgjysmë dhe do të realizojmë ato që nuk kemi pasur mundësi t’i nisim më herët. Qytetarët na kanë besuar për t’i përmbyllur këto projekte dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë, pasi kemi edhe shumicën në Këshill, që garanton qeverisje stabile në Komunën e Zhelinës”, deklaroi Sejdiu.
 
			