Skuadra U-15 e KF Shkëndija, e drejtuar nga trajneri Ibraim Luma, ka regjistruar një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj ekipit Forca Vardar në Shkup, në një ndeshje të zhvilluar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Siç informon TetovaSot, fusha ishte tejet e rrëshqitshme dhe me baltë për shkak të reshjeve të fundit, çka e bëri të pamundur zhvillimin e një loje të rrjedhshme.
Megjithatë, djemtë e rinj kuqezi treguan karakter dhe shpirt gare, duke dominuar pjesën më të madhe të takimit. Golin e vetëm dhe të fitores e shënoi Leard Salihi nga pika e bardhë, pas një aksioni të ndërtuar mirë që detyroi mbrojtjen vendase të ndërhynte në mënyrë të palejuar brenda zonës.
Trajneri Ibraim Luma pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se ky rezultat është vazhdimësi e serisë së mirë të paraqitjeve që ka ekipi në këtë kampionat. “Kemi një grup lojtarësh shumë të talentuar, që përbëjnë të ardhmen e klubit. Kushtet ishin të vështira, por djemtë dhanë gjithçka në fushë dhe e merituan plotësisht fitoren”, deklaroi Luma.
Edhe pse rezultati minimal, loja e disiplinuar dhe angazhimi i të rinjve të Shkëndijës treguan se akademia vazhdon të prodhojë elementë premtues për të ardhmen e futbollit tetovar dhe të klubit kuqezi.TS