Shkupi mikpritës i Forumit të 5-të vjetor të Aleancës Rajonale për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës

Aleanca Rajonale për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore e nisi sot në Shkup – Maqedoninë e Veriut, forumin e saj të 5-të vjetor.
Ky aktivitet tre-ditor, organizuar nga UNFPA – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Shëndet Seksual dhe Riprodhues, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, mbledh më shumë se 100 pjesëmarrës nga i gjithë rajoni, përfshirë përfaqësues të qeverive, institucioneve të shëndetit publik, botës akademike, sektorit civil dhe privat.
Teknologjia në shërbim të shëndetit të grave
“Në këtë epokë të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, mjekësia dhe teknologjia na ofrojnë zgjidhje të reja për çrrënjosjen e kancerit të qafës së mitrës. Duhet të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e tyre për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetin e grave dhe të rinjve – përmes vaksinimit, skriningut të organizuar mirë dhe trajtimit në kohë,” u shpreh znj. Xhenet Veliu, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur besimin se ky forum do të forcojë bashkëpunimin dhe partneritetet ndërmjet të gjithë aktorëve relevantë në rajon, me qëllim që çrrënjosja e kancerit të bëhet realitet.
Vizion i përbashkët: çrrënjosja e kancerit të qafës së mitrës
Znj. Florence Bauer – drejtoreshë rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, theksoi se ekziston një vizion i fuqishëm për të ardhmen: eliminimi i kancerit të qafës së mitrës si kërcënim për shëndetin publik në rajon.
“Në një kohë kur ndërhyrjet mjekësore të provuara po vihen gjithnjë e më shumë në dyshim, është më e rëndësishme se kurrë të bashkohemi, të forcojmë besimin në institucionet shëndetësore dhe të përshpejtojmë veprimet. Çrrënjosja e kancerit të qafës së mitrës është e arritshme – por duhet të përmirësojmë qasjen në vaksina, të zgjerojmë skriningun e përballueshëm dhe të sigurojmë trajtim në kohë, që asnjë grua të mos vdesë pa nevojë.”,- tha Bauer.
Statistika shqetësuese
Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më vdekjeprurës te gratë në moshë riprodhuese në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Më shumë se 90% e rasteve mund të parandalohen përmes skriningut të organizuar mirë, trajtimit të gjendjeve para-kanceroze dhe programeve të vaksinimit kundër HPV-së, virusi që shkakton shumicën e rasteve.
Megjithatë, çdo vit 32,000 gra në rajon diagnostikohen me këtë sëmundje, dhe 16,000 prej tyre vdesin. Ky kancer sjell një kosto të lartë emocionale, sociale dhe ekonomike për gratë, familjet e tyre dhe sistemet shëndetësore kombëtare. Në Maqedoninë e Veriut, çdo javë vdes një grua nga ky kancer, ndërsa tri gra diagnostikohen çdo javë.
Thirrja për Veprim: një angazhim rajonal
Aleanca Rajonale miratoi më 2023 një dokument me titull “Thirrje për Veprim”, që përfshin:
Prioritizimin e parandalimit: Zgjerimi i programeve të vaksinimit kundër HPV-së dhe sigurimi i qasjes universale në skrining efektiv;
Zhvillimin e kapaciteteve kombëtare: Forcimi i institucioneve dhe zhvillimi i ekspertizës lokale në përpjekjet për parandalim;
Zgjerimin e qasjes dhe përballueshmërisë: Nxitja e partneriteteve me sektorin privat për të ulur kostot dhe barrierat ndaj teknologjive dhe produkteve që shpëtojnë jetë.