Shtatori i vitit 2025 është renditur si i treti më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve globale të temperaturës, sipas të dhënave të fundit nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike “Koperniku”.
Ky rezultat pason një verë jashtëzakonisht të nxehtë, me temperatura që mbetën vetëm pak nën rekordet historike, duke e zgjatur periudhën e të nxehtit deri në fillim të vjeshtës.
Sipas raportit, temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe gjatë shtatorit arriti në 16.11°C, ose 0.66°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020.
Vetëm shtatorët e viteve 2023 dhe 2024 kanë qenë më të ngrohtë, me diferenca minimale.
Shërbimi “Koperniku”, që mbështetet në miliarda matje nga satelitë, anije, avionë dhe stacione meteorologjike, paralajmëron se kjo rritje e vazhdueshme e temperaturave lidhet ngushtë me ndikimin njerëzor dhe çlirimin e gazrave serrë në atmosferë.
Edhe oqeanet kanë ndjekur të njëjtin trend. Temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit në shtator ishte 20.72°C, një nga vlerat më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Sipas ekspertëve, ngrohja e deteve po ndikon në rritjen e nivelit të ujit, përkeqësimin e motit ekstrem dhe prishjen e proceseve biologjike jetike në oqean.
Në Evropë, temperatura mesatare e tokës arriti në 15.95°C, duke e bërë shtatorin e këtij viti të pestin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në kontinent.
Skandinavia dhe Evropa Lindore përjetuan rritje të ndjeshme të temperaturave, ndërsa disa zona të Evropës Perëndimore u regjistruan pak më të ftohta se mesatarja.
Rajone si Deti Norvegjez dhe Mesdheu shënuan temperatura sipërfaqësore mbi mesataren, ndërsa përqendrimet e akullit detar ranë ndjeshëm në veri të Evropës.
Në anën tjetër, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në disa zona si Valencia, Italia Veriore dhe Istria në Kroaci, ndërkohë që pjesë të tjera të kontinentit, përfshirë Gadishullin Iberik dhe Ballkanin, u përballën me thatësirë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se këto ekstreme klimatike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ngrohjes globale dhe ndikimit të vazhdueshëm të aktiviteteve njerëzore mbi klimën.