Shkup, 18 tetor 2025 — Nën moton “S’ka paqe pa çlirim”, të shtunën më 18 tetor, në
orën 12:00 në Shkup, u mbajt një marsh protestues në solidaritet me popullin palestinez
dhe kundër vazhdimit të okupimit dhe gjenocidit në Gazë. Marshi filloi para monumentit
“Simfonia e Paqes” (përballë gjimnazit “Josip Broz Tito”) dhe vazhdoi deri te ndërtesa e
Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Organizatorët nga iniciativa “Të gjithë për Palestinën” theksuan se ky protestim është i
përqendruar në nevojën për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, të bazuar në liri,
drejtësi dhe përgjegjësi — dhe jo në një armëpushim sipërfaqësor që legjitimon
okupatorin dhe i mohon të drejtat e popullit palestinez.
Ata kujtuan se ndërprerja e zjarrit nuk e anulon përgjegjësinë për krimet e luftës të
kryera dhe nuk e fshin gjenocidin që ka ndodhur në Gazë. “Gjenocidi nuk përfundon me
një nënshkrim në letër,” thuhet në deklaratë. “Marrëveshjet e paqes nuk mund të jenë
justifikim për mosndëshkim. Qeveritë, përfshirë edhe atë të Maqedonisë, kanë detyrimin
ligjor dhe moral ta njohin gjenocidin dhe të veprojnë në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare.”
“Palestina është nën okupim tani më 77 vjet. Palestinezët janë viktima të dëbimit të
detyruar dhe të pastrimit etnik për 77 vjet, ndërsa dy vitet e fundit janë viktima të
gjenocidit më monstruoz në historinë e re të njerëzimit,” deklaruan nga iniciativa. “Para
një jave, të fuqishmit vendosën për një ‘paqë’ që vetëm e betonoi gjenocidin si mjet për
nënshtrim të detyruar dhe pranimin e okupimit. Por nuk ka paqe pa liri.”
Organizatorët theksuan se një armëpushim i përkohshëm nuk do të thotë fund i
vuajtjeve, por shpesh krijon kushte për vazhdimin e dhunës sistematike, të okupimit dhe
të shfrytëzimit të tokës dhe burimeve palestineze.
“Të gjithë ne që jemi zgjuar për të vërtetën — se nuk ka liri dhe drejtësi për popujt për
sa kohë që kapitalistët vendosin për fatin tonë — nuk do të heshtim përballë gjenocidit
dhe okupimit. Populli palestinez duhet të jetë i lirë që ne të jemi vërtet të lirë,” tha një
nga folësit.
Protesta theksoi se rindërtimi i Gazës duhet të fillojë menjëherë, me prioritet në
ndihmën humanitare të menjëhershme dhe të pakufizuar për popullsinë që po mbijeton
në kushte urie, pastrehësie dhe sëmundjesh. Iniciativa nënvizoi se qeveritë dhe
institucionet ndërkombëtare kanë detyrimin të sigurojnë hyrjen e pakushtëzuar të
ndihmës humanitare, dhe se çdo bllokadë apo pengesë ndaj kësaj ndihme përbën
shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, organizatorët paralajmëruan se procesi i rindërtimit nuk duhet të
kthehet në një projekt fitimprurës për elitat, por duhet të jetë një rindërtim i vërtetë nën
drejtimin e vetë popullit palestinez dhe banorëve të Gazës. Rindërtimi është i

domosdoshëm dhe urgjent, por duhet të jetë në shërbim të njerëzve – për të rikthyer
shtëpitë, shkollat, spitalet dhe dinjitetin e atyre që humbën gjithçka nga bombardimet.
“Nuk mund të ketë paqe mbi themele gjaku dhe rrënojash,” thuhet në deklaratë. “Gaza
duhet të ndërtohet përsëri, por jo si parajsë për kapitalin — por si shtëpi për popullin e
saj. Rindërtimi duhet të udhëhiqet nga banorët e Gazës, jo nga investitorët që përfitojnë
nga dhimbja e tyre.”
Kërkesat e protestës janë:
1. Qeveria të dënojë gjenocidin në Gaza dhe të veprojë në përputhje me Konventën
për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit;
2. Të votojë për solidaritet me popullin palestinez në të gjitha votimet e ardhshme
në Kombet e Bashkuara;
3. Ta njohë përsëri shtetin e Palestinës;
4. Të ndërpresë menjëherë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, kulturore dhe
sportive me Izraelin;
5. Të përfshihet në dërgimin e ndihmës humanitare për Gazën;
6. Të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për ndërprerjen e gjenocidit dhe hyrjen
e ndihmës në Palestinë;
7. Të arrestojë çdo person të ndjekur për krime lufte që do të paraqitet në territorin
e Maqedonisë, në përputhje me detyrimet si anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare
Penale.
“Qeveria jonë duhet më në fund t’i përmbushë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar,”
thanë nga iniciativa. “Nëse Maqedonia nuk është e drejtë në politikën ndërkombëtare,
edhe më pak do të jetë e drejtë në atë të brendshme.”
Marshi përfundoi para ndërtesës së Qeverisë me thirrje për njohjen e Palestinës dhe
për veprime konkrete politike në drejtim të drejtësisë dhe përgjegjësisë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com