Sot ngritim një çështje që trondit opinionin publik të Çairit dhe që kërkon përgjigje të menjëhershme nga institucionet shtetërore.
Bëhet fjalë për një skandal të mundshëm me Ngrohtoren e Çairit – një kompani që ka rol jetik për mijëra familje, por që pas privatizimit të fundit, po rezulton të jetë e lidhur me qarqe politike dhe figura të afërta me Izet Mexhitin.

Sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Qendror, emri Perihan Tafilovska – bashkëpunëtore shumëvjeçare në institucione ku ndikim ka pasur Izet Mexhiti – figuron si bashkëpronare e Ngrohtores së Çairit, një kompani që së fundmi është blerë nga një grup investitorësh.

E njëjta Tafilovska ka qenë për vite me radhë e angazhuar në prokurime publike në disa institucione shtetërore, përfshirë Universitetin “Nëna Terezë” dhe MEPSO, ku janë ndarë kontrata milionëshe. Sot, ajo shfaqet si bashkëpronare e një kompanie që fiton çdo muaj nga faturat e qytetarëve.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje të menjëhershme:
– Si mundet që një person me karrierë të gjatë në prokurime publike të bëhet pronare e një kompanie që operon në interes publik?
– Si ka arritur paga e një nëpunëseje shtetërore të mjaftojë për blerjen e një kompanie me vlerë të lartë tregu?
– A është bërë procesi i shitblerjes në mënyrë transparente dhe me çmim real?
– A mund të bëhet fjalë për përfaqësim të kapitalit të Izet Mexhitit, përmes bashkëpunëtores së tij më të afërt?
– Dhe mbi të gjitha – a kemi të bëjmë me një konflikt të pastër interesi mes funksionit publik dhe përfitimit privat?

Burime nga sektori i energjetikës paralajmërojnë se pas privatizimit të fundit, Ngrohtorja e Çairit po kthehet në biznes politik. Nëse këto lidhje vërtetohen, atëherë flasim për një rast tipik të përzierjes së interesit publik me atë privat, ku qytetarët paguajnë çmimin, ndërsa përfituesit janë të lidhur me politikën.

I bëjmë thirrje publike Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë Publike që menjëherë të nisin hetime dhe të konstatojnë:
– A ka pasur konflikt interesi në këtë rast?
– A ka pasur ndikim politik në procesin e privatizimit?
– A është bërë pasurim i paligjshëm në kurriz të qytetarëve të Çairit?

Transparenca nuk është akuzë – ajo është detyrim ndaj qytetarëve! Publiku ka të drejtë të dijë:
– Kush e zotëron sot Ngrohtoren e Çairit?
– Me çfarë parash është blerë?
– Kush përfiton realisht nga kjo kompani që u shërben banorëve të Çairit?

Ky rast do të jetë testi më i madh i transparencës dhe llogaridhënies publike në Komunën e Çairit. Nëse heshtet – atëherë kemi të bëjmë me kapje të plotë politike të një sektori jetik publik.

Qytetarët e Çairit kanë të drejtë të dinë të vërtetën! Ngrohja që paguajnë qytetarët çdo muaj, nuk mund të kthehet në fitim për miqtë politikë të Izet Mexhitit. Prandaj, kërkojmë hetim të plotë, publikim të pronarëve realë dhe përgjegjësi ligjore për çdo shkelje që do të vërtetohet.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com