Një skandal i madh ka shpërthyer në Turqi, pasi autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë që përfshin 19 personazhe të njohur të showbiz-it dhe jetës publike.
Hetimi lidhet me përdorimin e dyshuar të substancave narkotike, duke përfshirë emra të njohur nga muzika, televizioni dhe rrjetet sociale.
Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka konfirmuar zyrtarisht hapjen e çështjes penale mbi bazën e nenit që lidhet me përdorimin e substancave narkotike ose stimuluese, sipas Kodit Penal të Turqisë.
Në listën e personazheve që po hetohen gjenden emra të njohur si: këngëtaret Hadise Açıkgöz dhe İrem Derici; aktoret Demet Evgar dhe Berrak Tüzünataç; influencueset Duygu Özaslan dhe Derin Talu.
Por kjo nuk është e gjitha. Mediat turke raportojnë se mes të hetuarve janë gjithashtu: Ziynet Sali, Kubilay Aka, Kaan Yıldırım, Mert Yazıcıoğlu, Metin Akdülger, Ceren Moray, Özge Özpirinçci, Engin Polat, Dilan Polat, Zeynep Meriç Aral, Birce Akalay dhe avokatja e njohur Feyza Altun.
Operacioni është kryer nga Komanda Provinciale e Xhandarmerisë së Stambollit, e cila ka shoqëruar personazhet publikë në qendra shëndetësore për marrjen e mostrave të gjakut dhe më pas për dhënien e dëshmive në ambientet e autoriteteve.
Deri më tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti, por të gjithë personat nën hetim janë thirrur për të dhënë deklarata. Hetimet do të bazohen kryesisht në rezultatet e analizave toksikologjike dhe në vlerësimet ligjore të mëtejshme.
Sipas ligjeve turke, përdorimi personal i substancave narkotike nuk dënohet automatikisht me burg. Në raste të tilla, gjykata mund të urdhërojë trajtim, rehabilitim ose mbikëqyrje provizore, varësisht nga vendimi i ekspertëve dhe prokurorisë.
Ky hetim ka tronditur opinionin publik në Turqi dhe është kthyer në një nga temat më të diskutuara në rrjetet sociale, pasi shumë prej personazheve të përmendur janë ndër figurat më të dashura të kinemasë dhe muzikës turke.