Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke theksuar se çdo ditë po dëshmohet se Aleanca për Shqiptarët kishte vepruar drejt kur u largua nga koalicioni “Vlen”.

Sipas tij, zhvillimet e fundit në skenën politike tregojnë qartë se për të qenë pjesë e qeverisjes nën tutelën e VMRO-së, partitë shqiptare në “Vlen” po detyrohen të bëjnë koncesione të rënda dhe të pranojnë çdo kërkesë që u imponohet.

“Tani është bërë e qartë se për të qenë nën tutelën e VMRO-së, duhet t’i dorëzohen asaj koncesione të mëdha, madje të rënda. Partitë e mbetura në ‘Vlen’ kanë hyrë në këtë labirint dhe kanë pranuar gjithçka që u kërkohet,” ka shkruar Snopçe.

Ai ka kujtuar deklaratën e kryeministrit se “ne kemi plan dhe qëllim”, duke shtuar se ky plan tashmë po zbatohet me hapa konkretë.

“Ashtu siç deshi padroni i tyre, ata ia dorëzuan Butelin, dhe tani kërkohet edhe Kërçova, Bërvenica e Struga, pjesë e së njëjtës strategji. Për këtë, kryeministri i kërcënon me mbështetjen në Tetovë dhe komunat tjera shqiptare,” ka theksuar deputeti.

Snopçe ka akuzuar partitë shqiptare të përfshira në koalicionin “Vlen” për bashkëpunim në zbatimin e planeve të VMRO-së, duke e quajtur këtë “tradhti kombëtare”.

“Është e kuptueshme që VMRO dhe udhëheqësi i saj të kenë plane dhe ambicie politike, por është tradhti kombëtare që partitë shqiptare të bëhen bashkëpunëtore në zbatimin e tyre,” ka deklaruar ai.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ka shtuar se disa nga ata që dikur kërkonin ridefinim të shtetit, sot kanë humbur çdo dinjitet politik.

“Ata që dikur kërkonin ridefinim të shtetit, sot arrijnë të thonë se ‘përkatësia etike’ është më e rëndësishme se përkatësia etnike shqiptare! Vaj medet ku janë fundosur!”, ka shkruar Snopçe, duke përmendur edhe thënien e Dario Fo: *‘Jemi në baltë deri në fyt, prandaj ecim me kokën lart.’*

Në fund të reagimit, Snopçe thekson se më 2 nëntor shqiptarët do të kenë mundësinë të vendosin qartë për të ardhmen e tyre politike.

“Më 2 nëntor, shqiptarët do të vendosin qartë: secili mund të bëjë ç’të dojë me fatin dhe pronën e vet, por jo me fatin, pronën dhe të ardhmen e atyre që kanë përkatësi etnike shqiptare,” përfundon reagimi i tij.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com