Taravari: Adnan Azizi është shef i Bilallit dhe Izetit dhe është bë MILIONER pa asnjë ditë pune! (VIDEO)

Gjatë tubimit elektoral nga AKI-ja i mbajtur në Tearcë, Arben Taravari lëshoi kritika të forta në drejtim të Adnan Azizi dhe njerëzve të lidhur me të, duke e akuzuar se po ushtron ndikim të pamerituar dhe presion mbi qytetarët dhe institucionet.
Në fjalimin e tij para qytetarëve, Taravari deklaroi.
“Kemi pasur dialog: pse merresh vetëm me Adnan Azizin? Pse nuk merresh edhe me Bilallin dhe Izetin? U thashë se Adnani është ‘shefi’ i tyre. Ata e dëgjojnë Adnanin, çfarë thotë ai, ashtu bëjnë. Ai vetë lavdërohet se i ka të vetat Zhelinë, Tearcën, Bëgovinën, dhe unë jam ‘mbret i Pollogut’.”, theksoi Taravari, njofton TS.
Ai vijoi me tone edhe më të ashpra, duke vënë në dyshim burimin e pasurisë së Adnan Azizi dhe ndikimin që ka mbi subjekte të ndryshme.
“Unë i respektoj imamët dhe profesionistët, por një njeri që s’ka punuar asnjë ditë të vetme, dhe sot është milioner i madh, kontrollon dhjetëra biznese dhe ushtron presion çdo ditë mbi njerëzit, ky nuk është modeli që meritojnë qytetarët e Pollogut.”
Duke e përmbyllur mesazhin e tij, Taravari shtroi pyetjen drejtpërdrejt.
“A e meritojnë njerëzit e Pollogut dhe të Tearcës që nesër, kryetarin e komunës ta mbajë nën kontroll një si Adnan Azizi? Unë them se nuk e meritojnë.”, tha Taravari.
Deklarata e Taravarit vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 19 tetorit dhe është një ndër goditjet më të forta publike në drejtim të rivalëve politikë në rajonin e Pollogut./TS