Deputeti dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, u shpreh me kritika të forta ndaj marrëveshjes së arritur ndërmjet partisë VLEN dhe VMRO-së, duke e cilësuar atë si një marrëveshje që nënvlerëson dhe marginalizon shqiptarët në Maqedoni.

“Unë e di si filluan negociatat me VMRO-në, me kushte të plota dhe të kushtëzuara, ku qëllimi përfundimtar ishte që shqiptarët të mbeteshin të marginalizuar në pushtetin lokal. Dhe ashtu ndodhi – shqiptarët janë ende të margjinalizuar në pushtetin qendror. Kjo ishte një kartë e madhe politike dhe mbi të gjitha, një përgjegjësi historike për ne, politikëbërësit shqiptarë në Maqedoni,” tha Taravari, duke theksuar sfidat e mëdha që përballen shqiptarët në politikën maqedonase, njofton TS.

Ai kujtoi bashkëpunimin mes Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së, duke theksuar se marrëveshjet e tilla janë thelbësore për integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Zotëri Ahmeti e përmendi Marrëveshjen e Ohrit me të drejtë, sepse ajo ishte pjesë e ngjarjeve historike që na çuan deri këtu. Kjo marrëveshje e re vazhdon rrugën drejt integrimit evropian,” përfundoi Taravari.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për përçarjet politike, duke thënë: “Tani të gjithë na thonë se po largohemi nga rruga evropiane, dhe kjo është shumë shqetësuese.”

Taravari bëri thirrje për unitet dhe përkushtim në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com