Në shtypshkronjën “Kiro Dandaro” në Manastir tashmë po shtypen fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, të planifikuara për të dielën, më 19 tetor. Shpërndarja e materialit jo-konfidencial dhe konfidencial për votim deri te Komisionet Komunale Zgjedhore, dhe më pas edhe deri te Këshillat Zgjedhore, do të kryhet deri në fund të kësaj jave. Të shtunën, të parët që do të votojnë janë të sëmurët dhe të pafuqishmit, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe persona në shtëpitë e të moshuarve.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) për MIA-n informuan se shpërndarja e materialit konfidencial – fletëvotimeve dhe Listës zgjedhore nga shtypshkronja në komisionet komunale zgjedhore do të bëhet të enjten, ndërsa të premten do të dorëzohen aparatet për identifikim biometrike. Shpërndarja do të kryhet me siguri të vazhdueshme dhe të plotë nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Materiali konfidencial do të sigurohet nga policia deri në ditën e votimit, përkatësisht deri të dielën, më 19 tetor.

Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore për zgjedhjet lokale është 1.832.415 votues. Nga këta votues, në certifikatat e Listës së Votuesve janë regjistruar 1.717.803 votues, ndërsa sipas të dhënave të autoriteteve kompetente, të drejtë vote kanë gjithsej 112.000 votues që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, 2.162 votues që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve. Votim nga diaspora për Zgjedhjet Lokale nuk ka, në përputhje me Kodin Zgjedhor, kështu që ata që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës duhet të udhëtojnë në vend.

Në shtypshkronjën “Kiro Dandaro” shtypen aq fletëvotime sa ka votues të regjistruar në Listën zgjedhore edhe për kryetar komune edhe për këshilltar, nga 1.832.415 për secilin, dhe shtesë për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe për këshilltarët, ku të drejtë vote kanë gjithsej 474.304 votues.

Për shtypjen e fletëvotimeve janë parashikuar 48 milionë denarë, por se sa do të shpenzohet do të dihet pasi të shihet sipas rezultateve ku do të ketë një raund të dytë zgjedhjeve dhe sa fletëvotime të tjera do të duhen të shtypen.

Përfundojnë gjithashtu afatet që lidhen me aktivitetet zgjedhore. Në mesnatë përfundon afati për publikimin e rezultateve të sondazheve të opinionit publik në lidhje me Zgjedhjet lokale 2025, ndërsa nesër në mesnatë (14 tetor) përfundon afati për regjistrim për të votuar për personat në arrest shtëpiak.

Rreth 9.000 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm janë regjistruar për të votuar të shtunën, më 18 tetor, që është më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Të shtunën votojnë edhe 2.162 të burgosur dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.

Të dielën, votimi fillon në orën 7 të mëngjesit dhe zgjat deri në orën 7 të mbrëmjes. Votohet vetëm një herë, vota është e fshehtë, ndërsa në këto zgjedhje për identifikim të votuesve do të përdoren aparatet për identifikim biometrik.

Zgjedhjet lokale më 19 tetor 2025 do të jenë të tetat që nga pavarësia e vendit dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë të komunave dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com