Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit – i njohur ndryshe si “Tetori Rozë” – Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) organizoi sot një aktivitet sensibilizues në sheshin e qytetit të Gostivarit.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryetari aktual i Komunës dhe kandidati për një mandat të ri nga AKI, Valbon Limani, si dhe bartësi i listës për Këshillin Komunal, Valdet Xhaferi.

Duke folur për rëndësinë e parandalimit të kancerit të gjirit, Limani u shpreh:

“Përmes informimit të drejtë dhe kontrolleve të rregullta, mund të shpëtojmë jetë. Prandaj ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt parandalimit.”

Si pjesë e programit të tij shëndetësor, Limani premtoi *150 mamografi falas çdo vit për gratë e Gostivarit*, nëse fiton një mandat të ri. Ai shtoi gjithashtu se do të angazhohet që spitali i qytetit të pajiset me mamograf modern, për të garantuar qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në diagnostikim.

Gjatë aktivitetit, u shpërndanë edhe fletushka informuese me mesazhe ndërgjegjësuese, si pjesë e përpjekjes për të ndërtuar një komunitet më të shëndetshëm dhe më të informuar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume