Deri në orën 11:00, në komunën e Tetovës kanë votuar 5.912 qytetarë, që përbën 6,37% të trupit votues. Këtë e konfirmoi Nazmi Dauti nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ), i cili theksoi se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa ndonjë problem.
“I gjithë procesi zgjedhor deri në këto momente po zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk kemi hasur në asnjë pengesë apo ndonjë problem në asnjë nga 117 vendvotimet. Sa i përket daljes deri në orën 11:00, sipas të dhënave tona kanë votuar 5.912 qytetarë, që në përqindje përbën 6,37%,” tha Dauti, duke shtuar se pritet që pjesëmarrja të rritet në orët e pasdites.
Ndërkohë, sipas informacioneve nga terreni, VMRO – Tetovë ka bojkotuar mbështetjen për kandidatin e VLEN-it, Bilall Kasamin, gjë që ka krijuar tronditje brenda kampit të VLEN-it. Bojkoti i kësaj partie pritet të sjellë një humbje të thellë për Kasamin dhe një epërsi prej mbi 2000 votash për kandidatin e AKi-së, Bajram Rexhepin në raundin e parë.
Sipas burimeve, shtabi i VLEN-it kishte llogaritur që në rreth të parë të ketë 5 mijë vota nga elektorati i VMRO-së, që do të ishin kyçe për të siguruar një fitore të mundshme. Mungesa e kësaj mbështetjeje ka shkaktuar panik brenda radhëve të shtabit së Kasamit.
Një javë para përfundimit të fushatës, shtabi i Bilall Kasamit kishte dalë me një deklaratë publike, duke pretenduar se Kasami do të fitonte që në raundin e parë me mbi 10 mijë vota diferencë. Ky pretendim, siç raportohet, ka shkaktuar revoltë tek qytetarët, të cilët e kanë konsideruar si manipulim të opinionit publik.
Përveç kësaj, Kasami po përballet me kritika dhe pakënaqësi publike për shkak të shitjve të pronave publike, një çështje që po rëndon gjithnjë e më shumë në perceptimin e qytetarëve për mandatin e tij.
Situata në Tetovë mbetet dinamike, ndërsa rezultati i kësaj gare po shihet si një tregues kyç për orientimin politik të AKI-së dhe VLEN-it./TS/