Toshkovski: Janë privuar nga liria 11 persona për shkak të ryshfetit, fotografimit ose shkatërrimit të fletëvotimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se zgjedhjet kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të drejtë dhe demokratike. Ai informoi se janë arrestuar 11 persona, ndërsa janë verifikuar edhe 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet në lidhje me zgjedhjet.
“Janë privuar nga liria 11 persona për shkak të ryshfetit, fotografimit apo shkatërrimit të fletëvotimit. Janë liruar katër persona, ndërsa shtatë janë ndaluar për procedurë të mëtejshme. Janë raportuar shtatë raste me përfshirje të dyshuar të zyrtarëve policorë, nga të cilat në gjashtë nuk janë konstatuar parregullsi. Janë regjistruar 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet që janë objekt i verifikimeve të mëtejshme. Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë se procesi zgjedhor kaloi në atmosferë të drejtë, të qetë dhe demokratike, pa shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike”, tha Toshkovski.
Ai theksoi se gjatë ditës së sotme është ndaluar edhe një person i punësuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë në kryerje të detyrave të punës.
“Sipas informatave që kam, një nga personat e privuar nga liria është i punësuar në kuadër të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë duke i kryer detyrat e punës dhe është ndaluar sepse ka refuzuar të identifikohet”, deklaroi Toshkovski.