Ushtria izraelite ka ndaluar flotilën globale “Sumud”, e cila mbrëmjen e sotme u nis drejt Gazës me synimin për të thyer bllokadën detare dhe për të dorëzuar një sasi simbolike ndihmash humanitare. Flotila përbëhet nga mbi 40 anije civile me mbi 500 persona në bord, përfshirë deputetë, avokatë dhe aktivistë, mes tyre edhe Greta Thunberg.
“Ndërhyrja ka filluar. Dy anije janë ndaluar dhe kemi humbur kontaktin me një tjetër,” deklaroi pas orës 20:00 gazetari italian Lorenzo D’Agostino, i cili udhëton me flotilën.
Aktivistë publikuan video në rrjete sociale ku shihen anije ushtarake izraelite duke u afruar dhe duke urdhëruar ndalimin e motorëve, ndërsa disa raportuan se ushtarët izraelitë janë ngjitur në bordin e tyre dhe po kryejnë arrestime.
“Statusi i pjesëmarrësve dhe ekuipazhit ende mbetet i pakonfirmuar. Kjo është një sulm i paligjshëm ndaj humanitarëve të paarmatosur. Kërkojmë nga qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare të garantojnë sigurinë dhe lirimin e tyre,” thuhet në deklaratën e flotilës.
Më herët, marina izraelite i kishte paralajmëruar kapitenët përmes radios se vazhdimi i lundrimit drejt Gazës do t’i ekspozonte ndaj arrestimeve. Ndërkohë, Ministria e Jashtme izraelite e cilësoi flotilën si “provokim” dhe tha se ofroi transferimin e ndihmës nëpërmjet kanaleve të sigurta.
Javën e kaluar, Italia dhe Spanja kishin dërguar anije ushtarake për mbrojtjen e flotilës, pasi ajo u sulmua në ujërat ndërkombëtare pranë Greqisë nga dronë me bomba shokuese dhe gaz irritues. Izraeli nuk i komentoi akuzat, por paralajmëroi se do të bëjë gjithçka për të penguar mbërritjen e flotilës në Gaza. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u bëri thirrje aktivistëve të tërhiqen, duke theksuar se misioni i tyre humanitar mund të minojë shpresat për paqe.