Limani: Një kapitull i ri për planifikimin afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Gostivarit (VIDEO)

Në 15 muajt e udhëheqjes sime si ushtrues detyre i kryetarit të Komunës së Gostivarit, kemi realizuar 29 projekte, ndërsa për rreth 50 projekte të tjera kemi siguruar fondet e nevojshme.
Por tani ka ardhur koha për një kapitull të ri – për planifikim afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm për Gostivarin tonë.
Ne kemi hartuar një planifikim urban dhe zhvillim hapësinor modern, që do ta transformojë qytetin tonë në një hapësirë të gjallë, funksionale dhe bashkëkohore.
Ura e Harmonisë – një simbol i lidhjes dhe zhvillimit
Gjatë mandatit tonë, Gostivari do të ketë edhe një urë të re mbi lumin Vardar – “Urën e Harmonisë”.
Kjo do të jetë një vepër moderne infrastrukturore, me katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për këmbësorë.
Ura do të lidhë lagjet, do të lehtësojë komunikacionin dhe do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të qytetit.
Transformimi i bulevardit kryesor
Hapja dhe transformimi i bulevardit kryesor është një tjetër projekt madhor.
Ai do të bëhet zemra urbane e Gostivarit, një arterie moderne me ndriçim bashkëkohor, shtigje për biçikleta dhe këmbësorë, si dhe hapësira të gjelbra që do të sjellin jetë e energji në qytet.
Do të jetë vendtakim për të rinjtë, për familjet, për artistët – për të gjithë qytetarët.
Parking nëntokësor pranë Komunës
Për të zgjidhur përfundimisht problemin e parkimit në qendër, do të ndërtojmë një parking nëntokësor modern me dy kate dhe sipërfaqe prej 1,900 m², me kapacitet për 126 automjete.
Ai do të jetë i pajisur me sistem elektronik kontrolli dhe siguri të lartë.
Rilindja e qendrës së qytetit
Qendra e Gostivarit do të rilindë si një hapësirë moderne publike, me nënkalim për automjete dhe këmbësorë, kënde për fëmijë, zona për aktivitete publike dhe gjelbërim të pasur.
Në sheshin e ri do të krijohen 219 vendparkime, të cilat bashkë me parkingun nëntokësor pranë komunës do të sjellin 345 vendparkime të reja.
Sipërfaqja e përgjithshme e sheshit do të jetë 6,810 m², prej të cilave 1,362 m² janë hapësira të gjelbra dhe mbi 110 m² janë të destinuara për kënde lojërash për fëmijë.
Politika për zhvillim ekonomik lokal
Për të nxitur ekonominë vendore dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi, do të zbatojmë një politikë të re mbështetëse për bizneset dhe inovacionin:
• Taksat komunale për kompanitë e reja do të reduktoren nga 6,000 denarë në vetëm 1,000 denarë për pesë vitet e para të funksionimit.
Rinia – e ardhmja jonë
Për çdo të ri apo të re deri në 30 vjeç, do të mbështesim start-up-et e tyre me 60,000 denarë.
Çdo vit do të përkrahim 30 nisma të reja rinore.
Gratë – shtylla e zhvillimit
Çdo vit, 30 vajza dhe gra që do të aplikojnë për mbështetje do të përfitojnë nga 60,000 denarë për nismat e tyre të biznesit.
Faleminderit gjyshërve tanë!
Ky projekt është për të gjithë ata gjyshër pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre, ndërkohë që fëmijët e tyre janë në punë.
Ata do të marrin një shumë simbolike prej 30,000 denarësh në vit nga Komuna e Gostivarit.
Shkolla të sigurta dhe pa bullizëm
Do të krijojmë “Ambasadorët e Sigurisë dhe Respektit” në çdo shkollë.
Këta nxënës do të zgjidhen me ndihmën e mësuesve dhe psikologut shkollor, jo vetëm sipas notave, por edhe sipas ndikimit që kanë te bashkëmoshatarët.
Qëllimi është i qartë:
• Nxënësit ndikojnë më shumë tek njëri-tjetri se të rriturit.
• Viktimat ndihen më të sigurta kur kanë bashkëmoshatarë që i mbrojnë.
• Shkolla bëhet një komunitet më i fortë dhe më i bashkuar.
Investimi në arsimin e fëmijëve tanë është investimi më i madh që mund të bëjmë.
Të dashur qytetarë,
Këto projekte nuk janë vetëm vizatime mbi letër – ato janë vazhdim i punës me përkushtim dhe ndershmëri.
Ato janë dëshmi se Gostivari ka potencial, por mbi të gjitha, ka njerëz që e duan me zemër.