Tendenca e VMRO-së për të qeverisur komunat me shumicë shqiptare përbën edhe një atak të drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, themelit të bashkëjetesës dhe stabilitetit ndëretnik në Maqedoninë e Veriut.

Me ligjin për ndarjen territoriale dhe atë për financimin e komunave, të miratuar në vitin 2005, vazhdoi zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit,
e cila garantonte formimin dhe forcimin e komunave ku shqiptarët do të mund të realizonin të drejtat e tyre kombëtare, duke qeverisur bashkë me popujt e tjerë joshumicë në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Në këtë frymë, përveç komunave ku shqiptarët kanë shumicë absolute, u krijuan edhe komuna me shumicë shqiptare, me qëllim që të ruhej përfaqësimi dhe ekuilibri etnik në nivel lokal. Këtu përfshihen Struga, Kërçova, Çairi, Dollneni, Çashka, Bërvenica e të tjera.

Por sot, kryeministri Kristian Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE po e minojnë këtë rend demokratik. Në disa komuna shqiptare ata kanë garuar hapur me kandidat maqedonas që është e drejt demokratike, por jo duke përdorur si mekanizëm ndikimin e pushtetit qendror,
kanosjet për të imponuar vullnetin tek votuesit, ndërsa në disa komuna kanë vepruar tërthorazi përmes kandidatëve të përshtatur shqiptarë, me qëllim kontrollin e qeverisjes lokale përmes ndikimit politik e etnik.

Ky veprim është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj frymës së Marrëveshjes së Ohrit, e cila kishte për qëllim ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe multietnike. Politika aktuale e Mickoskit ka shkundur thellë marrëdhëniet ndëretnike, duke prishur ekuilibrin dhe barazinë mes dy komuniteteve më të mëdha në vend.

Pas kësaj loje të rrezikshme, priten reagimet e shqiptarëve nëpërmjet votës së tyre, si dhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me mençuri dhe vendi të kthehet në rrugën e integrimit të plotë drejt Bashkimit Evropian.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com