Dy vite pas vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu pas ndërhyrjes në klinikën dentare, policia ka arrestuar për ‘vrasje nga pakujdesia’ mjekun Roland Xhaxho.

Mësohet se Prokuroria kishte kërkuar masën arrest me burg për mjekun, por gjykata caktoi “arrest në shtëpi”.

Ina Xhaxho, akuzohet për mashtrim dhe vrasje nga pakujdesia. Ndërsa nën hetim është edhe stomatologia Marta Gina.

Ekspertiza mjeko-ligjore

Kjo masë erdhi pak ditë pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore të kryer nga mjekët italianë, të cilët përcaktuan shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit. Ata i përcollën prokurorisë shqiptare një akt ekspertizë voluminoze prej 200 faqesh. Lidhur me detajet e aktekspertizës, prokuroria është tejet e rezervuar, me argumentin se mund të dëmtojë hetimin, por konfirmoi se do t’u vihet në dispozicion palëve sapo të konkludojë me hetimet.

Edhe familjarët e Spahiut mësohet se kanë kërkuar informacion lidhur me ecurinë e hetimeve, por edhe të njiheshin me konkluzionet e aktit të ekspertimit të ardhur nga Italia, përderisa më herët kanë ngritur dyshime lidhur me hetimet që po kryheshin nga prokuroria për të hedhur dritë mbi vdekjen e fëmijës së tyre. Brian Spahiu humbi jetën më 1 tetor 2023 në spitalin shtetëror, pasi më herët në klinikën e mjekut Roland Xhaxho kishte bërë ndërhyrje në dhëmbë. Sipas ekspertizës së parë të kryer nga Instituti i mjekësisë ligjore thuhet se anestezia, ishte shkak i vdekjes së 3-vjeçarit.

“Shkaku i vdekjes se shtetasit Brian Spahiu ka qene dhënia e lendes anestetike qe ka sjelle vuajtjen qelizore te thelle me mekanizmin e insuficiencës multiorganore te parikthyeshme”, thuhet në aktin e Institutit të mjekësisë ligjore. Por, pavarësisht këtij konkluzioni, Prokuroria e Tiranës kërkoi një ekspertizë të dytë, me argumentin se akti i parë ishte i paplotë, konkluzioni ishte i pasaktë dhe se mungonin ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në Tiranë në tetor 2023, ku Brian Spahiu vetëm 3 vjeç humbi jetën tre ditë pasi mori shërbim dentar në klinikën dentare “Splendent” në Rrugën e Kavajës, e cila ndodhet brenda Spitalit të Zemrës, gjithashtu privat në pronësi të mjekut Roland Xhaxho.

Mësohet se më 28 shtator të atij viti, familjarët kishin dërguar fëmijën tek klinika private për të bërë trajtim të dhëmbëve dhe pastrim nga gurëzat, për shkak të dhimbjes muajt e fundit. Pasi iu bë grafi, prindërve iu tha se duhej proceduar në 14 dhëmbë.

Mjekja dentiste që u mor me dhëmbët e vogëlushit, është Ina Xhaxho, vajza e mjekut Roland Xhaxhos i cili ka injektuar narkozën.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com