Megjithë optimizmin e Trump dhe mbështetjen e gjerë që “angazhimi i tij për Gazën” ka marrë nga bota arabe, loja nuk është mbyllur ende. Në korridoret e pushtetit të Dohas, negociata e vërtetë për fundin e luftës dhe sidomos për atë që do të vijë më pas, po fillojnë tani. Dhe mund të kërkojë më shumë se “3 ose 4 ditë” që presidenti amerikan i ka dhënë grupit të armatosur palestinez për të pranuar, ose për të paguar çmimin e një refuzimi.
Dje, ndërsa shefi i shërbimeve turke, Ibrahim Kalin, besnik i Erdoganit, zbriste në Doha, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani, tha hapur se duhen “sqarime” dhe negociata të mëtejshme për dy pika në veçanti: tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi dhe krijimin e një “administrate palestineze të re për Gazën” që “nuk ka të bëjë me Izraelin”. Arabët, ashtu si turqit, janë të bezdisur nga paqartësia me të cilën plani i Trump flet për një “rrugë” drejt një “shteti palestinez” të largët dhe përjashtimin e
Autoritetit Kombëtar Palestinez nga tryeza e negociatave. Megjithatë, drafti i rënë dakord me Katarin, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ishte ai që presidenti amerikan nxitoi ta shpallte të hënën, zbulon Axios. Presioni i Netanyahut gjatë një takimi të gjatë me Kushnerin para konferencës për shtyp me Trumpin i shtyu amerikanët ta ndryshonin atë, duke “zemëruar zyrtarët arabë të përfshirë”.
Në tekstin fillestar kishte kushte të rrepta për tërheqjen e Izraelit nga Rripi, ndërsa versioni i shpërndarë për mediat parashikon që IDF të qëndrojë brenda një perimetri sigurie në Gaza edhe për një kohë të pacaktuar, nëse shihet e nevojshme. Katari madje kishte tentuar të bindte administratën amerikane të mos e publikonte planin. Prej këtu edhe fjalët e Al Thani-t për nevojën e një “sqarimi” dhe më shumë kohe. Kjo ndodh edhe sepse Hamasi duket i ndarë nga brenda, midis atyre që do të donin ta pranonin propozimin, atyre që e refuzojnë atë dhe atyre që shpresojnë të marrin ndryshime të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me garancitë se lufta nuk do të rifillojë dhe tërheqjen e IDF. Presioni ndërkombëtar mbi grupin është i madh.
Megjithë tensionet, dallimet, kërkesat për sqarime, vendet arabe të Gjirit dhe vende myslimane si Turqia dhe Pakistani, që kanë ndikim të madh në Azinë Perëndimore, kanë nënshkruar një deklaratë mbështetjeje për nismën e Trump, shenjë se konsensusi mbi nevojën që lufta të përfundojë me përjashtimin e Hamasit nga pushteti është i gjerë. Presidenti turk Erdogan është angazhuar personalisht mbi rrugëhartën amerikane, pasi mori nga presidenti amerikan legjitimitetin aq të pritur me takimin e fundit në Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht luftës dhe sulmit izraelit ndaj Katarit, asnjë vend i rajonit deri tani nuk ka vënë në diskutim marrëdhëniet me Izraelin: nuk e kanë bërë as jordanezët, as egjiptianët, as turqit dhe as emiratianët, nënshkruesit e parë të Marrëveshjeve të Abrahamit.
Burime arabe që ndjekin nga afër negociatat në Doha presin që Hamas në fund të pranojë. Me një vendim të marrë para së gjithash nga udhëheqja në terren, në Gaza, dhe më pas në Doha. Por lëvizja islamiste do të vendosë kushte dhe do të kërkojë kohën e nevojshme për t’i negociuar ato. Plani është një dorëzim, por përmban edhe rezultate që Hamas mund t’i paraqesë si fitore: 250 të dënuar me burgime të përjetshme të liruar nga 300 që ndodhen në burgjet izraelite është një numër shumë i lartë për një lëvizje që gjithmonë e ka bërë prioritet absolut çlirimin e njerëzve të saj. Këtyre u shtohen edhe 1.700 të burgosur që do të mund të kthehen në Gaza, ku vazhdohet të vriten njerëz. Mbrëmë ushtria izraelite sulmoi edhe Deir El Balah, në qendër të Rripit, pasi kishte urdhëruar civilët që iknin nga veriu të strehoheshin në atë zonë dhe në rajonet përreth. Objektivi ishte një kafene, një nga të paktat ende të mbetura ku mund të provohej për një çast të merrej frymë. Të paktën dy viktima dhe një mesazh: askund nuk është e sigurt, në Gaza.