Nga Arben Llalla

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dallojnë dukshëm në sjelljen e tyre politike dhe elektorale nga shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ky dallim nuk është vetëm kulturor apo historik, por lidhet ngushtë me përvojën e tyre të gjatë në një sistem ku politika shpesh shihet si kompromis midis mbijetesës dhe përfaqësimit kombëtar.

Në këtë mozaik politik, votuesi tetovar përbën një kategori të veçantë. Ai është i kulturuar, i qetë dhe shpesh ironik në raport me premtimet e politikanëve. Nuk ndikohet lehtë nga imponimet partiake, presionet lokale apo kërcënimet e strukturave të interesit. Përkundrazi, ai ruan një qëndrim të pavarur dhe shpesh i jep drejtim tjetër rezultatit në momentin e fundit.
Pikërisht ky votues, i paanshëm në pamje të parë, por i thellë në analizë dhe ndjenjë, është ai që krijon befasitë më të mëdha. Ai nuk voton sipas turmës, por sipas bindjes personale, duke e kthyer votën e tij në një akt të vetëdijshëm politik.
Në zgjedhjet e 19 tetorit, pritet që ky tip votuesi të përcaktojë ekuilibrat e rinj politikë në kampin shqiptar. Shumë subjekte që sot duken të sigurta për fitore mund të përballen me zhgënjime, ndërsa të tjerë, të nënvlerësuar në sondazhe, mund të dalin përpara.
Prandaj, suksesi politik në Tetovë dhe më gjerë nuk varet vetëm nga strukturat partiake, por nga aftësia për të kuptuar dhe respektuar votuesin e pavarur – faktor kyç i së ardhmes politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com