Një ekip shkencëtarësh argjentinas ka zbuluar një skelet pothuajse tërësisht të ruajtur të një specieje të re dinosauri, që jetoi rreth 230 milionë vjet më parë në Andet e Argjentinës. Zbulimi, i cilësuar si një nga më të rëndësishmit e viteve të fundit, u njoftua të mërkurën nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Shkencore dhe Teknike (Conicet).
Specia e re është pagëzuar me emrin Huayracursor jaguensis dhe u gjet në një lartësi prej 3,000 metrash në provincën La Rioja, në veriperëndim të vendit. Studimi i plotë është publikuar në revistën shkencore Nature.
Lexo edhe:
Blu apo vjollcë: Rregulli i artë i shampove me pigment për vajzat bionde
Sipas studiuesve, dinosauri i ri ka jetuar gjatë fundit të periudhës Triasike, një epokë kyçe në historinë e Tokës kur u shfaqën dinosaurët e parë dhe paraardhësit e gjitarëve modernë.
“Ne vlerësojmë se Huayracursor është midis 230 dhe 225 milionë vjeç, çka e bën një nga dinosaurët më të vjetër të njohur deri më sot,” – shpjegoi paleontologu Agustín Martinelli, një nga autorët e studimit.
Ekipi shkencor beson se ky dinosauri ishte barngrënës, pjesë e grupit që më vonë do të përfshinte gjigantët me qafë të gjatë. Ekzemplari i rritur ishte rreth dy metra i gjatë dhe peshonte afërsisht 18 kilogramë.
Skeleti i zbuluar përfshin një kafkë të pjesshme, një shtyllë kurrizore të plotë që shtrihet deri në bisht dhe gjymtyrë pothuajse të plota të përparme e të pasme – një gjendje jashtëzakonisht e rrallë për fosile kaq të lashta.
Shkencëtarët e Conicet besojnë se ky zbulim do të shërbejë si pikë referimi për studimin e evolucionit të dinosaurëve, duke ndihmuar në kuptimin e mënyrës se si u zhvilluan këto krijesa gjigante që dominuan Tokën për miliona vjet