Me një pjesëmarrje të madhe qytetarësh, në tubimin e Aleancës Kombëtare për Integrim në Likovë, Zekirja Shahini doli para qytetarëve vetëm tre ditë pas një atentati të rëndë ndaj tij, me emocione tha se falë dëshirës së Allahut sot jam para jush.
“Falë Zotit, falë dëshirës së Allahut, jam sot para jush”, tha Shahini në hapje të fjalimit, duke shtuar se ndonëse ishte goditur pabesisht me katër plumba, ajo nuk e kishte ndalur në rrugën që ka nisur bashkë me qytetarët, njofton TS
“As plumbi, as frika nuk ma kanë ndalë rrugën. Drejtësia nuk ndalet!”, theksoi ai me vendosmëri, duke marrë duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit.
Ai falënderoi nga zemra çdo mik, shok dhe dashamirës që ka qenë pranë tij në këto ditë të vështira, duke premtuar se do të vazhdojë të qëndrojë “krenar dhe kurrë impostor”.
Shahini u shpreh se ai dhe ekipi i tij nuk janë ndalur për asnjë moment, pavarësisht pengesave apo sulmeve. Ai theksoi se në katër vitet e fundit janë bërë ndryshime reale që shihen dhe ndihen në çdo fshat dhe çdo familje të Komunës së Likovës.
“Jemi këtu për ta çuar Komunën e Likovës aty ku e ka vendin”, deklaroi ai, duke përmendur se puna do të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi, sepse “askush nuk mund të ndalë vullnetin e qytetarëve”./TS