Dëmtimi i gypit kryesor të ujësjellësit në Tetovë ka sjellë jo vetëm pasoja për qytetarët, por edhe reagime në opinionin publik. Gazetari Arben Zeqiri ka ngritur dyshime serioze se ngjarja mund të jetë e inskenuar nga kryetari i komunës, Bilall Kasami, dhe njerëzit përreth tij, me qëllim mbulimin e skandaleve të fundit që lidhen me kontrata fiktive brenda administratës komunale.

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Zeqiri shprehet me tone të ashpra ndaj kryetarit Kasami, duke kritikuar menaxhimin e situatës dhe mënyrën e komunikimit me publikun.

“Nuk vlen, u demaskuat! Mos luani me ujin!”, shkruan gazetari, duke theksuar se ndërsa kryetari i komunës kërkon zbardhjen e rastit nga organet hetimore, vetë del me konkluzione të nxituara dhe, sipas tij, përdor profile të rreme për të drejtuar gishtin ndaj opozitës.

Zeqiri ngre edhe një çështje të rëndësishme teknike, duke pyetur:

“Përse gypi i ujit nuk është i vendosur nën tokë? A ka përgjegjësi për moskryerje të detyrës dhe rrezikim të popullatës?”

Sipas tij, gjithë kjo situatë mund të jetë pjesë e një skenari të qëllimshëm për të zhvendosur vëmendjen publike nga hetimet për kontratat e dyshimta në komunë.

“Turp, turp, turp! Ftojmë Prokurorinë të zbardhë rastin deri në fund,” përfundon reagimin e tij gazetari Arben Zeqiri.

Aktualisht, qytetarët e Tetovës përballen me mungesë uji dhe shqetësime të mëdha, ndërsa institucionet janë nën presion për të sqaruar shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë situatë të rëndë./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com