Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet nën vëzhgimin e 1,451 vëzhguesve, përfshirë 807 vendorë dhe 644 ndërkombëtarë, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Numrin më të madh të vëzhguesve ndërkombëtarë e ka ODIHR-i i OSBE-së, me 524 vëzhgues, pasuar nga ambasada e SHBA-së me 30, Parlamenti Evropian me 12, Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës me 10, dhe ambasadat e Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Francës, Britanisë, Holandës dhe Hungarisë, me përfaqësues në numër më të vogël.
Nga organizatat vendore, më e madhja është Shoqata “Zgjohu” – Shkup me 549 vëzhgues, ndërsa pjesë e monitorimit janë edhe CIVIL – Qendra për Liri, Eurothink, Three C Consulting, Romalitiko, Agro Lider, dhe organizata të tjera nga qytete të ndryshme të vendit.
Vëzhguesit po ndjekin procesin e votimit që ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit, si dhe ecurinë e përgjithshme të procesit zgjedhor, përfshirë fushatën, administratën dhe respektimin e të drejtave të votuesve. Pas mbylljes së votimeve, pritet që ODIHR dhe Parlamenti Evropian të publikojnë raportet paraprake me vlerësime dhe rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor.