Ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao tha të premten në një konference shtypi që Kina do të zgjerojë aktivisht hapjen gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.
Wang vuri në dukje që Kina duhet të përputhet në mënyrë proaktive me rregullat ekonomike e tregtare ndërkombëtare me standard të lartë dhe të zgjerojë hyrjen në treg e sferën e hapjes, duke u përqendruar në sektorin e shërbimeve.
Ministri kinez i tregtisë tha gjithashtu se vendi do të nxisë zhvillimin inovativ të tregtisë duke inkurajuar diversifikimin e tregut në tregtinë e mallrave, duke përmirësuar sistemin e menaxhimit për listat negative në tregtinë ndërkufitare të shërbimeve dhe duke zgjeruar hapjen e tregtisë dixhitale në një mënyrë të rregullt.
Wang theksoi edhe përpjekjet për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e investimeve të ndërsjella.
Ai shtoi që do të synohet menaxhimi i efektshëm i investimeve të huaja, së bashku me përmirësimet e sistemit të gjithanshëm të shërbimeve jashtë vendit dhe udhëzimet për rregullimin e arsyeshëm dhe të rregullt ndërkufitar të zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit.
Në lidhje me bashkëpunimin në kuadër të ndërtimit të “Një brez, një rrugë” me cilësi të lartë, Wang u shpreh që do të forcohet përshtatja me planet strategjike të vendeve pjesëmarrëse, do të nxiten projektet kryesore të rëndësishme dhe projektet e jetesës “të vogla e të bukura”, do të thellohet bashkëpunimi praktik në fushat e tregtisë, të investimeve, të industrisë dhe të kulturës, si edhe do të zgjerohet bashkëpunimi në fusha të tilla si zhvillimi i gjelbër, teknologjitë digjitale dhe inteligjenca artificiale.