Shkruan Naim Kurtishi

Është i përligjshëm fakti që, ky muaj, në kujtesën tonë mbarëkombëtare, të ruajë diçka të veçantë, të reflektojë diçka hyjnore e madhështore; të ketë diçka simbolike dhe reflektuese… Them reflektuese, pasi që, dikur në Manastir- të Vilajetit, 117 vite më parë, kokëndriturit e dijes dhe kombit, bënë alfabetin e gjuhës sonë shqipe. Dhe, prandaj kjo ditë është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë ata, sepse, arsimi dhe avancimet arsimore sjellin vetëm mirësi, kohezion dhe tolerancë ndërmjet popujve, duke iu bindur dhe nënshtruar motos universale: Respekto, të të respektojnë!
Ndaj, si të mos jetë kjo një ditë e ndritur për ne? Si të mos ndjehemi ballëndritur, kur në bashkërenditje me popujt tjerë të emancipuar, çajmë përpara dhe i japim fuqi hapit drejt vlerave të përbashkëta europiane?
Thënë më thjesht: 22 Nëntori është dita kur Manastiri historik i mblodhi tok figurat më të ndritura të kombit, me pikësynimin themelor – për ta zgjidhur përgjithmonë çështjen e alfabetit tonë, me të cilin do të shkruhet gjuha jonë “…e ëmbël dhe e gjerë – si gjuhë Perëndie”, siç do të shpreh ligjërimin Naimi i Madh.
Ndaj, patjetër të pranojmë faktin që, këtë gjuhë zonjemadhe – mijëra e mijëra vjeçare të vjetër; këtë mrekulli mbarëkombëtare – e lëvruan dhe formësuan bijtë mendjendriçuar të popullit tonë epik, të lashtë e stërlashtë. Vetëm këta ustallarë të regjur njihnin përmasat e trupit të zonjës Shqipe. Vetëm këta njihnin me saktësi përmasat e “Trupit arbëror” e, që do t’i vinte tamam për shtati “Gjuhës sonë ëmbëlake”, siç e konsiderojnë vëllezërit tanë arbëreshë, të parët e të cilëve, që në thellësi të shekujve, ruanin në arkën e brezave porosinë emblematike:“Shqipëtarë kudo që jeni, gjuhën – amanet e keni…!” Kështu, kur ky amanet na kumbon heshturazi në ndërdije, mu tani, në këto kohëra të turbulluara, po nxjerrë krye një dilemë e beftë: SI? KU? e, në ÇFARË DEREXHEJE na gjen sot neve shqiptarëve kjo “Zonjë e Bekuar Shqipe”?
E, s’kemi si të mos shprehim shqetësimin tonë me plot keqardhje, kur jemi dëshmitarë të faktit se, edhe pas kaq viteve të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit, shqiptarët e këtij shteti, i cili periodikisht di të tregohet edhe depresiv, akoma po ballafaqohen me përbuzje, stigmatizime dhe nënçmime, madje, fatkeqësisht, ende po mbetet i tkurrur e i përllogaritur në përqindje, bashkë me gjuhën që flet, alfabeti i së cilës lindi pikërisht në këto hapësira…Andaj, do të ishte shumë punë e fisme që, kujtimin për këtë ngjarje historike për shqiptarët, ta festonim me fitoren për përdorimin e plotë, të barabartë e të dinjitetshëm të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, kërkesë kjo e vazhdueshme dhe imanente e mbarë shqiptarëve në këto “Troje të ngurta e të serta” gjeografike e politike.
Vetëm me barazi të plotë të përdorimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe, të garantuar edhe me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, përdorimit të drejtë në shkolla (dhe, jo vetëm), që është edhe pikësynimi ynë programor si Shoqatë e Pedagogëve Shqiptarë të Tetovës, do të plotësohej dëshira e pjesëmarrësve të këtij Kongresi historik, dhe amaneti i tyre që ua kanë lënë brezave e gjeneratave të “epokës digjitale”.
Prandaj, pa mos e zgjatur më shumë ligjërimin, gjithë së bashku të urojmë: Gëzuar për të gjithë shqiptarët kjo Festë e madhe e gjuhës, kulturës dhe historisë sonë nacionale, me shpresën e pavenitur se, do të vijë edhe ajo ditë kur, gjuha jonë shqipe, (jo ajo “…që flasin mbi 20% ”) – do të jetë plotësisht e barabartë në këtë Vend të përbashkët, i cili, për fat të keq, akoma nuk po gjen forcë ta njohë dhe frymojë me realitetin e ri, dhe për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga e kaluara ngatërrestare, e që po vazhdon të mbajë peng të ardhmen e ndritur, me synimin drejt vlerave dhe qytetërimit europian, të cilët, rilindasit tanë kombëtarë, përkatësisht, pjesëmarrësit e Kongresit të ABC, me kohë i kishin objektiv dhe pikësynim në vizionet e tyre të ndritura! Për t’ua hjekur vesvesen atyre që gjuhën tonë, njërën ndër më të vjetrat dhe më autoktonet në siujdhesën ballkanike, e përjetojnë si rrezik për gjuhët dhe popullujt e tyre, patjetër të citojmë Sami Frashërin, i cili qëmoti ka shkruar: “Ne nuk duam gjënë e tjetrit, por s’duam të lëmë dhe gjënë tonë e të drejtën sheshit të na i rrëmbejnë me pahir…”
GËZUAR 22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT SHQIP!
KRYETAR i SH.P. SH
Pedagog : Naim Kurtishi .
22.11.2025, TETOVË

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com