Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në pesë komuna në balotazh, përfshirë Prishtinën, Pejën, Vitinë, Dragashin dhe Junikun.
Me dy komunat e tjera të fituara në raundin e parë, Istogun dhe Lipjanin, LDK udhëheqë gjithsejtë me 7 komuna.
Postimi i plotë:
LDK shpallë fitoren në:
Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash dhe Junik. Pas fitoreve të raundit të parë në Lipjan e Istog, Lidhja Demokratike e Kosovës udhëheqë në gjithsejt 7 komuna; përfshirë dhe Kryeqytetin pra, duke rikonfirmuar forcen e vet si parti e parë në nivel lokal.
Ju faleminderit të gjithëve për angazhimin e madh. Sonte dua t’u drejtohem me mirënjohje të thellë secilit aktivist të LDK-së, secilës vajzë e djalë, burrë e grua, secilës familje që për javë të tëra la çdo gjë mënjanë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi. Ju që ecët derë më derë, lagje më lagje, qytet më qytet. Ju që e mbajtët flamurin tonë me dinjitet. Ju jeni shtylla e fitores sonë. Prandaj, ju them se fitorja e sontme është fitore e juaja. Është shpërblim i punës suaj, i përkushtimit dhe i besimit tuaj.
Por sonte dua t’u flas edhe atyre që nuk na votuan. Demokracia është për të gjithë, dhe Kosova është për të gjithë. Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Sepse zgjedhjet ndajnë vetëm për një ditë — pas saj, na bashkon përgjegjësia për të ndërtuar bashkë vendin tonë.
Paç fat Kosovë!
Dritë do të ketë!