Adem Avziu demanton: Nuk po blej vota dhe jam në lagjen time, ata që e bëjnë këtë do ta marrin përgjigjen nga populli
Adem Avziu ka reaguar ndaj lajmeve të fundit se gjoja ai është kapur duke blerë vota.
Ai ka ndarë një fotografi nga çajtorja e vendbanimit të tij dhe thotë se është në vendlindje dhe se ata që i krijuan këto lajme të rreme, vetë janë duke i bërë të njëjtat dhe se përgjigjen e vërtetë do ta marrin nga populli.
“DEMANT PUBLIK
Në rrjetet sociale po qarkullon një lajm i rremë dhe plotësisht i pavërtetë se kinse unë, Adem Avziu, qenkam kapur duke blerë vota.
Dua ta bëj të qartë për opinionin publik se ky është një trillim dhe shpifje ordinere, që flet më shumë për panikun dhe natyrën shpifëse të atyre që e kanë porositur këtë lajm, sesa për mua.
Shpifjet e tilla janë kategori e njerëzve dhe mendësive që i takojnë një kohe të shkuar, një kohe ku frika dhe manipulimi ishin mënyrë veprimi.
Të dashur bashkëqytetarë dhe miq, unë jam shëndosh e mirë, aty ku kam qenë gjithmonë, në lagjen time, pranë njerëzve që i dua dhe që më respektojnë.
Ata që e kanë fabrikuar këtë lajthitje politike, po përpiqen t’ua mveshin të tjerëve veprimet që në fakt i kanë bërë dhe i bëjnë vetë.
Të dielën do ta kenë përgjigjen e popullit, ndërsa të hënën do të kenë edhe padinë penale për shpifje.
Le të mendojnë mirë si porositësit, ashtu edhe ekzekutorët e këtyre gënjeshtrave.
I juaji,
Adem Avziu”, shkruan Avziu.