Afrim Gashi në Tiranë për 28 Nëntor: Shpreh dëshirën për më shumë bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët
Në një atmosferë solemne dhe të mbushur me simbolikë historike, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në pritjen shtetërore të organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Gashi u shpreh se kjo ngjarje festive, ku tradita dhe krenaria kombëtare u ndërthurën në mënyrë të veçantë, konfirmoi përkushtimin e përbashkët për të ruajtur dhe forcuar vlerat që bashkojnë shqiptarët kudo që janë. Ai theksoi se data historike e 28 Nëntorit mbetet udhërrëfyes për të ardhmen e shqiptarëve.
Në emër të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Gashi i përcolli Presidentit Begaj dhe gjithë kombit shqiptar urimet më të përzemërta, duke shprehur dëshirën për rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët mes dy vendeve dhe gjithë shqiptarëve.
Nëpërmjet një postimi, Gashi e cilësoi pjesëmarrjen në këtë pritje si një nder dhe një moment të rëndësishëm vëllazëror./TS